Nga Klaudio Ndreca
Përpara se t’i përkasim dhe të zgjedhim një besim të caktuar fetar, fillimisht jemi shqiptar. Kombi është gjithmonë mbi të gjitha dhe kjo na dallon jo pak nga të tjerët. Është kaq bukur kur sheh sesi një mysliman, një ortodoks dhe një katolik të shënojnë për Shqipërinë.
Qëllimi i këtij nënvizimi nuk është për të bërë një ndarje, por institucioni i Kombëtares është kaq i madh sa gjithçka duhet studiuar me detaje. Po aq e bukur sa Prishtina, Bujanovci, Podujeva, Shkodra, Tetova, Ferizaji, Berati, Shkupi, Kavaja dhe sa shumë qytete të tjera shqiptare që janë të përfshira në këtë Kombëtare.
Është po aq e bukur sa kur dëgjon në stadium këngën e Adem Jasharit, mishi fillon të bëhet kokërr dhe goja thjesht nxjerr fjalët e zemrës. Janë pikërisht këto copëza momentesh që të mbushin me shpresë se Shqipëria mund të bëhet, se ne mund të shkojmë shumë larg, por ajo që na mungon, është bashkëpunimi dhe “trajneri” që të na drejtojë me zemrën e pastër dhe me shpirtin plot pasion.
Pa dashur që të përfshijmë anën politike me atë të sportit, por me siguri që edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, do të jetë ndierë sadopak xheloz kur në Air Albania pa 20.000 shqiptarë që mblidheshin nga të gjitha vendet e Shqipërisë natyrale vetëm në saj të optimizimit që i ka sjellë Silvinjo. Një trajner si i Shqipërisë së futbollit kërkojmë që ta kemi në çdo fushë të jetës tonë, por fillimisht le t’i gëzohemi atij të Kombëtares që na kishte munguar që nga koha e De Biazit. MOS NA ZGJONI! /Sport Ekspres/