Nga Klaudio Ndreca
Nuk flet, nuk shkruan, por është gjithmonë aty, si një hije që shfaqet kudo për të shkrepur dhe mbajtur të regjistruar çdo moment të vetëm nga ndeshjet e futbollit. Ky sport nuk luhet vetëm me aktorët kryesorë, nuk janë vetëm trajnerët dhe lojtarët, as gazetarët që e plotësojnë gjithë këtë “puzzle”, por edhe fotografët që përjetësojnë çdo moment të lojtarëve.
Një prej tyre është edhe Arben Bici. Me qetësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon, Beni nuk flet shumë, mjafton t’i caktosh vendin se ku duhet të qëndrojë në stadium dhe më pas bëhet gati për shkrepjet që mbeten gjatë në kujtesën e gjithsecilit.
Por, ashtu si edhe në çdo punë tjetër në Shqipëri, askush nuk paguhet për punën që bën dhe për sa realisht vlen. Në një vend të vogël dhe ku nuk dihet realisht vlera e punës që tjetri kryen, pasi gjithmonë e jotja është më e vështira dhe tjetrit fare e lehtë, e rëndomtë thuajse, nderet kërkohen gjithandej: “Hë mo se çfarë po bën edhe ky”.
Në Shqipëri mendojnë ende se fotografia kushton vetëm kur shkon për ta bërë një të tillë për pasaportë apo kartë identiteti, nuk kuptohet aspak vlera e shkrepjes në evenimente si futbolli ku kosto supozohet të jetë më e lartë dhe në gjithë botën këta fotograf janë të mirëpaguar. E teksa e pyesim për një realitet të tillë që të gjithë e njohim, Beni me modesti kërkon që ta mohojë duke mos dashur që të nxjerrë keq njerëzit që i sheh gjithmonë, megjithëse nuk ka asnjë njohje personale me ta, por ndihet i familjarizuar.
Por jo gjithmonë paraja është vlerë, ndonjëherë edhe një mirënjohje mund të paguajë dhe të mbetet në kujtesë. Kështu Bici për “Sport Ekspres” na tregon se e vlerësoi një gjest të bërë nga ana e ish-lojtarit të Shqipërisë, Ansi Agolli.
“Unë kam 30 vite në profesion, por në 10 vitet e fundit jam edhe në ndeshjet e futbollit. Kemi udhëtuar për ndeshjet e Kombëtares, kam qenë prezent aty, por edhe në ndeshjet derbi. Përpara disa kohësh i kam thënë Ansi Agollit për të marrë një bluze të tij, pasi e donte djali im. Ma dha bluzën dhe më foli me shumë superlativa”, tha Bici duke e mbajtur në kujtesë këtë moment.
Shumëkush mendon se puna e fotografit është më e lehta në botë, mjafton të shkrepësh 100 herë nga pozicione të ndryshme dhe në fund të përzgjedhësh fotografitë më të mira. Në fakt jo, nuk funksionon kështu. Shpeshherë berberët përdorin një shprehje sa herë që kanë ankesa nga klientët e tyre: “Unë mund të jap pak më tepër lezet me prerjen e flokëve, por nuk mund të bëj të bukur, ti ky je”.
Ndërkohë Bici shprehet se fotografët e kanë edhe këtë magji, ndryshe nga rasti i sipërpërmendur, pasi mund të arrijnë që të shndërrojnë personin aq sa mund të mos njoh edhe vetveten.
“Sigurisht, ne mund të zbukurojmë me pjesën tonë, varet nga pozicioni sesi e kap momentin dhe mund të kalojmë në një dimension komplet tjetër, ndikon mënyra e këndit. E di sesi është puna e fotografit? Jo të gjithë mund ta kapin momentin e duhur, është si një snajper, duhet të gjuash mirë për këndin. Unë gjuaj me aparat, por gjuaj mirë. Për fatin tim kam qenë futbollist dhe e di se ku do të shkoj lëvizja e lojtarit, mendoj se kjo më jep avantazh”, thotë Bici.
Thuhet se çdo person ka një kënd të tijin që e nxjerr më mirë dhe këtë na e konfirmon edhe fotografi ynë që ka goditur me “snajperin e tij të kujtimeve” edhe yje si Cristiano Ronaldo, Shevcenko, Lewandowski dhe Iniesta. Por sa ia vlen e gjitha kjo? Nëse i futemi kostove, është një llogari që nuk të çon askund.
“Dalëngadalë vjen edhe ndryshimi i brezave, edhe unë duhet ta hap krahun më vonë si gjithë të tjerët. Sa ia vlen? Po ka raste që ti merr një aparat përshembull, 15 mijë euro. E përdor, sheh gjendjen dhe pastaj mendohesh që të rezervohesh dhe ta përdorësh sa më pak të mundesh. Sigurisht që unë kam kënaqësinë time personale nga puna, por gjithçka e ka një kosto. Kam fotografuar shumë personazhe të famshme të futbollit, Cristiano Ronaldo, Lewandowski, Shevcenko, Iniesta, Giroud apo edhe trajnerin Mourinho”, përfundoi Bici. /Sport Ekspres/