Zoran Zekic e ka filluar aventurën e tij te Partizani. Trajneri kroat me CV të pasur u përzgjodh që të ishte zëvendësuesi i Kolelës. Puna është e vështirë për këtë teknik të ri pasi italiani e shpalli kampion Partizanin dhe për këtë arsye, pritshmëritë janë më shumë se të larta.
Vetë Zekic e njeh mirë situatën, teksa i ka ndodhur jo pak herë në karrierë që të shkarkohet në momentin e tij më të mirë. Sipas asaj që mësojmë, kroati e ka filluar stërvitjen te Partizani me “marsh të pestë”. Ritëm i lartë dhe shumë intensitet në stërvitje, aq sa lojtarët ndihen shpeshherë sikur janë në një ndeshje kampionati. Ky duket si një tregues i mirë, por prova e parë e vërtetë do të jetë në Europë. /Sport Ekspres/