“Cilësi, përkushtim & krenari për fanellën kuqezi”, Salihi e Agolli rrëfejnë ditët amerikane të seleksionimit

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi për herë të parë një seleksionimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u testuan 126 futbollistë të vitlindjeve 2005, 2006, 2007, 2008 dhe 2009.

Për tre muaj me radhë Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike dhe skautët e FSHF në SHBA kanë punuar përmes aplikimeve për të përpiluar listat e lojtarëve që kishin aplikuar për të marrë pjesë në këtë seleksionim, që u zhvillua në datat 20 dhe 21 maj 2023 në zonën e Nju Xhersit.

Grupi organizator që udhëhoqi këtë stazh stërvitor përbëhej nga ndihmës trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, përgjegjësi për futbollin e vajzave në FSHF, Florian Riza si edhe Daniel Xhafa, Fation Serhati, Zamira Tabaku, Riza Uka, Elton Mara dhe Skënder Driza.

Në dy ditë janë testuar të gjithë lojtarët përmes seancave stërvitore dhe ndeshjet e kontrollit, ndërsa përshtypjet e stafit për vlerat dhe përkushtimin e lojtarëve kanë qenë mjaft pozitive dhe në këtë grup janë evidentuar futbollistë që premtojnë për të ardhmen e do të mbahen në monitorim të vazhdueshëm.

Ndihmës trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, flet me nota pozitive për organizimin për herë të parë këtij seleksionimi, duke falënderuar edhe prindërit e futbollistëve për përkushtimin dhe seriozitetin që kanë treguar.

“Në radhë të parë jemi shumë të kënaqur për përgjigjen pozitive nga të gjithë prindërit për të marrë pjesë në këtë seleksionim. Kanë qenë mbi 120 fëmijë që erdhën këtu dhe organizimi ka shkuar shumë mirë, i gjithë stafi i angazhuar ka bërë një punë të madhe.

Nga aspekti sportiv besoj se kemi përfituar shumë nga ky seleksionim dhe duke qenë se ishte hera e parë që bëhej këtu. Tashmë kemi marrë informacionin e duhur për lojtarët e rinj që duhet të mbahen në vëzhgim për të ardhmen dhe në të njëjtën kohë krijojmë një ide të qartë për atë që në na pret këtu në SHBA për të gjetur elemente që t’i shërbejnë ekipeve kombëtare të Shqipërisë”, – thotë Salihi për Fshf.org, ndërsa konfirmon se stafi ka përgatitur një listë me emrat e elementëve që do të mbahen në monitorim të vazhdueshëm për të parë progresin e tyre.

“Në ditën e parë kemi vëzhguar në ditën e parë lojtarët e vitlindjes 2005, 2006 e 2007, ndërsa në ditën e dytë lojtarët e vitlindjes 2008 e 2009 dhe te secili grup ka lojtarë me të dhëna shumë të mira e që besoj që do të rriten edhe më shumë për t’i shërbyer ekipeve kombëtare. Kemi krijuar një listë me emra lojtarësh, që mbase tani nuk janë plotësisht gati, por duhen të mbahen në vëzhgim për të parë progresin e tyre, pasi ne besojmë se do të rriten dhe mund të bëhen futbollistë të rëndësishëm edhe për ne”, – thekson ndihmës trajneri i Kombëtares, duke shtuar: – “Duke qenë se në vendet e tjera të Europës janë zhvilluar seleksionime të tilla dhe FSHF ka më shumë informacion për lojtarët që janë në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër në SHBA kjo është hera e parë që bëhej dhe në pak ditë pati shumë aplikime.

Madje ka edhe lojtarë të tjerë, që për arsye të ndryshme nuk mundën të vinin këtë herë, pasi në SHBA mendohet se ka një komunitet prej rreth 1 milionë shqiptarësh dhe shumë prej tyre janë të angazhuar me futbollin. Është e domosdoshme që seleksionime të tilla të organizohen herë pas here edhe në SHBA në mënyrë që edhe ky komunitet këtu dhe futbollistët shqiptarë të mos ndihen të privuar nga mundësia për të luajtur për kombëtaren shqiptare, pasi me të vërtetë kemi parë njerëz që e duan shumë fanellën kuqezi dhe janë shumë krenarë për Kombëtaren e shumë të lidhur me Shqipërinë.

Edhe për këtë arsye ka qenë vërtetë kënaqësi të punonim për dy ditë me radhë me këtë lojtarë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen, sepse do të ketë edhe më shumë lojtarë në të ardhmen dhe besoj se niveli do të vijë duke u rritur”, – shprehet Hamdi Salihi.

Edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili ishte pjesë e stafit organizator, vlerëson këtë iniciativë dhe përshtypjet e marra nga testi i lojtarëve që morën pjesë në këtë seleksionim të parë në tokën amerikane.

“Duke qenë se ishte hera e parë që zhvillohej një seleksionim në SHBA jam shumë i kënaqur me ecurinë dhe për organizimin. Kemi pasur aplikime thuajse nga çdo shtet i Amerikës dhe nga Kanadaja. Në mënyrë simbolike, kishim një Shqipëri të vogël në Nju Jork gjatë seleksionimit. Nuk ishte e lehtë të organizosh aktivitet të tilla në një vend si Amerika, që ka një territor kaq të madh, megjithatë jam shumë i kënaqur nga pjesëmarrja dhe nga cilësia që këta lojtarë shfaqën, duke na dhënë përshtypje të mira”, – thotë Agolli për Fshf.org, duke shtuar se futbolli në SHBA ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe se në të ardhmen pritet të ketë gjithnjë e më shumë shqiptarë të cilët mund të jenë të vlefshëm për ekipet kombëtare të Shqipërisë.

“E kam thënë edhe herë të tjera që futbolli në SHBA është në rritje, është një numër i madh futbollistësh që shtohen nga viti në vit. Sigurisht që ka edhe mjaft elemente shqiptarë në këtë mes. Kishte cilësi në këto seleksionime, por patjetër që ka akoma shumë punë për të bërë, sepse janë në një moshë formimi, janë në një moshë kur duhet punë dhe përkushtim për t’u zhvilluar si lojtarë.

Objektivi është që të evidentojmë sa më shumë lojtarë dhe t’i rekomandojmë emrat e tyre te trajnerët e ekipeve të moshave kuqezi. Kemi dëshirë që të ketë sa më shumë lojtarë, të cilët aktivizohen në SHBA, që të luajnë me ekipet e moshave të Shqipërisë”, – thotë Agolli, teksa përmend edhe një rast kur një lojtarë ka bërë një udhëtim të gjatë për të marrë pjesë në këtë seleksionim, që konfirmon se dëshira e këtyre djemve për të veshur fanellën kuqezi është shumë e madhe, teksa kanë treguar edhe cilësi në fushën e lojës.

“Jam i kënaqur nga ecuria e seleksionimit, përkushtimi i lojtarëve ka qenë në maksimum. Mjafton të përmend faktin që një lojtar udhëtoi nga Hjuston për në Nju Jork, që është rreth 8 orë me avion vetëm për të marrë pjesë në këtë seleksionim tregon shumë. Për të folur më pas për atë që ndodh në fushë, aty ku të gjithë lojtarë dhanë maksimumin, çdo ndeshje ishte shumë kompetitive.

Jam shumë i kënaqur nga ky seleksionim i parë dhe kënaqësia më e madhe është kur sheh se sa krenarë ndihen këta të rinj që veshin fanellën kuqezi e që patën mundësinë të tregojnë cilësitë e tyre në fushë. Ky ishte edhe synimi i FSHF-së që këta lojtarë t’i bëjë bashkë nëpërmjet këtyre seleksionimeve dhe pse jo ato lojtarë më të talentuar të kalojnë në ekipet kombëtare të moshave”, – shprehet ish-futbollisti i njohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *