Tirana-Partizani do të jetë ndeshja e kësaj jave që do të shndërrohet në kryefjalën e kampionatit shqiptar. Sipas të gjitha gjasave, fituesi i këtij takimi do të kurorëzohet si kampion i Superiores. “Sport Ekspres” ka pyetur trajnerin kampion në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Duron, në lidhje me mendimin e tij mbi këtë ndeshje. Duro nuk sheh asnjë favorit në derbin e kryeqytetit duke treguar se morali dhe situata e kampionatit deri tani tregon gjithmonë e më shumë balancën mes Tiranës dhe Partizanit.
“Në futboll nuk ka gjykim absolut, sidomos në derbi Tirana-Partizani. Sigurisht që pas asaj jave të fundit, psikologjikisht dhe moralisht është Partizani më mirë. Po vijnë nga fitorja bindëse me Kukësin, ndërsa Tirana nga humbja me Teutën. Por nuk mund të them se Partizani është favorit, Tirana ka treguar në këtë sezon se gjatë momenteve më të vështira e gjen forcën dhe zgjidh situatën. Prandaj nuk ka favorit për mua, por rezultati është shumë i rëndësishëm për titullin kampion”, tha Shpëtim Duro. /Sport Ekspres/