Egnatia është përralla e bukur e këtij sezoni në Superiore. Ky ekip ndodhet në vendin e tretë në kampionat dhe nga ana tjetër ka shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë. Portieri Sherri dhe mbrojtësi Musta ishin të ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Në fillim ishte Sherri ai që e vlerësoi këtë sezon të tijin si një nga më të mirët në karrierë.
“Kemi zhvilluar shumë ndeshje të bukura gjatë gjithë kampionatit, por ndaj Vllaznisë ishte më i rëndësishëm rezultati. Sekreti i mos pësimit të golit është gjithë ekipi, veçanërisht mbrojtja. Tani jemi të forcuar edhe në sulm, por mbrojtjen e kemi pasur gjithmonë të fortë. Ky është sezoni i parë që unë jam i kënaqur me veten. Kur luan kundër ish-ekipit tënd nuk është çështje inati, por çështje sedre, që të besonin më shumë. Prandaj kam vetëm këtë lloj ndjenje të mirë”, tha Sherri.
Nga krahu tjetër, Musta zbuloi se një nga sekretet e këtij suksesi është edhe rregullsia në pagesa, pa pasur asnjë vonesë, thuajse si askund tjetër në Shqipëri. “Ishte fitore historike për një klub të vogël, jo me shumë histori si Egnatia. Është hera e parë që shkojmë në finale. Shpresoj që të jetë ky viti ku të fitoj Kupën e Shqipërisë. Kam qenë në disa skuadra, por nuk kam arritur ta fitoj ndonjëherë. Duam të dërgojmë një trofe në ekipin e Egnatias.
Futbolli është profesion, ne paguhemi për këtë pjesë. Kam kaluar shumë ekipe, por rregullsinë e pagesave të Egnatias nuk e kam parë askund. Është qetësi mendore, pasi ti mendon vetëm për fushën e blertë, nga ana tjetër je i qetë, nuk të ha askush hakun. Tirana në finale? Ata janë mësuar me trofe, por ne duam të shfrytëzojmë urinë për trofe. Besoj se Kupa do të jetë histori tjetër nga ajo e kampionatit ku na kanë mundur katër herë”, tha Musta. /Sport Ekspres/