Lacion e pret sot në mbrëmje një ndeshje mjaft e vështirë. Bardhekaltrit do të përballen me Juventusin në “Olimpiko”. Elseid Hysaj ka folur për mediat në prag të kësaj sfide dhe paralajmëron “zonjën e vjetër” se e kanë përgatitur ndeshjen në detaje.
“Gjatë javës e përgatitëm këtë ndeshje në detaje. Fatkeqësisht, në dy vitet e fundit nuk kemi arritur t’i mposhtim kurrë. Do të duhet të japim diçka më shumë në krahasim me ndeshjet e fundit kundër tyre. Shpresoj të shkojë ndryshe këtë herë, padyshim falë ndihmës së tifozëve tanë”, ka thënë fillimisht Elseid Hysaj.
Mbrojtësi shqiptar është pyetur edhe për bashkëpunimin e tij me Sarrin. 29-vjeçari është lojtari i preferuar i trajnerit italian, teksa në karrierën e tij nuk ka aktivizuar asnjë lojtar tjetër më shumë se Hysajn. Bëhet fjalë për 314 paraqitje nën drejtimin e Sarrit. Sigurisht që një statistikë e tillë i jep vetëm krenari kapitenit të Kombëtares shqiptare.
“Një krenari dhe një nder i madh. Sarrin e njoh prej shumë vitesh. Para Lacios kemi qenë bashkë në Empoli dhe Napoli. Atij i pëlqen të përmirësojë çdo lojtar që stërvit dhe shpresoj të jem në gjendje të punoj me të edhe për shumë vite të tjera”, është shprehur Elseid Hysaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/