Silvinjo e ka nisur me një humbje rrugëtimin e tij në stolin e Shqipërisë. Kuqezinjtë janë mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Polonia, por paraqitja e zhvilluar në Varshavë jep shpresë për ecurinë në këto kualifikuese për Euro 2024. Cikalleshi ishte i pari që kërcënoi portën e Sheznit, por ky i fundit ishte në lartësinë e duhur për të shmangur golin. Polakët arritën të shënonin në minutën e 41-të të takimit. Goditja e Zalevskit trondit shtyllën dhe topi i kthyer në zonë dërgohet më pas në rrjetë nga Karol Sviderski.
Shqipëria përpiqet të kthejë baraspeshën në pjesën e dytë, por pa sukses. Fillimisht Myrto Uzuni kryen një gjuajtje fantastike, por Shezni tregohet spektakolar me pritjen e tij. Pak minuta më vonë, Asllani shmanget bukur dhe lëshon të djathtën e tij, por portieri i Juventusit i mohon përsëri golin shqiptarëve. Ndërkohë në minutat e fundit të takimit, Shqipëria zhvilloi një askion model, të cilit i mungoi vetëm goli. Topi i goditur në zonë nga Uzuni përfundoi ngjitur me shtyllën, duke humbur kështu shansin e artë për të marrë një pikë nga transferta e Varshavës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/