“Ja si FSHF po punon me përfaqësueset rajonale për të rritur cilësinë e futbollistëve të rinj”

Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF zhvilloi pak ditë më parë një takim me trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale dhe përfaqësues të shoqatave rajonale të futbollit për të diskutuar dhe analizuar ecurinë e punës dhe për të shkëmbyer mendime rreth përmirësimit të cilësisë.

Gjithashtu, në këtë takim u bë edhe një analizë e përgjithshme e turneut të ekipeve përfaqësuese rajonale të zhvilluar pak javë më parë mes ekipeve nga të gjitha zonat rajonale të Shqipërisë. Trajnerët evidentuan problematikat e hasura në këtë turne, por edhe gjatë punës së tyre të përditshme, ndërsa u vlerësuan edhe aspektet pozitive të këtyre paraqitjeve në të gjitha nivelet.

Për ekspertin e futbollit në Departamentin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, takime të tilla janë shumë të nevojshme për të kuptuar nivelin e cilësisë së punës dhe që të ketë përmirësime dhe një përgjegjësi më të madhe për të punuar edhe më mirë me talentet në të gjitha vendin.

“Ne organizuam një mbledhje me trajnerët e ekipeve rajonale, që ishte e domosdoshme në këtë periudhë për të rregulluar diçka në përmirësimin e punës që ne zhvillojmë me përfaqësueset rajonale. FSHF dhe Sektori teknik bën një investim të madh tek zonat rajonale dhe ne kërkojmë që ky investim nesër të na kthehet në vlera për futbollistët që kanë në dispozicion. Janë seleksionuar me kohë nga i gjithë stafi teknik i FSHF-së, nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave për të përzgjedhur të paktën 20 lojtarët më të mirë, që mbase për 6 muaj mund të kenë ndryshime të gjendjes së tyre dhe pas 6 muajsh fillojmë seleksionimet e tjera që besoj se do të ndikojnë në përmirësimin e punës”, – thotë Mema në prononcimin e tij për Fshf.org, duke shtuar se rritja e performancës së lojtarëve nuk i vlen vetëm ekipeve kombëtare të moshave, por edhe vetë ekipeve e akademive në të gjitha zonat rajonale.

“Ishte shumë e rëndësishme për ta bërë këtë mbledhje, për të nxjerrë disa detyra sepse e shikojmë që në momente të caktuara trajnerët duhet të jenë më të përgjegjshëm për të zhvilluar një punë akoma më cilësore, për të rritur performancën në fushë të këtyre fëmijëve, këtyre të rinjve që ne kemi në dispozicion. Sepse e ardhmja nuk është vetëm për futbollin e ekipeve kombëtare, por është edhe për futbollin e çdo rajoni që kemi. Aktualisht kemi 8 rajone dhe mbase do të shtohet dhe një rajon tjetër që po mundohemi ta organizojmë me parametra të mirë, për të nxjerrë lojtarë që të jenë pjesë e ekipeve kombëtare. Vlejnë për ekipet rajonale në përgjithësi, por vlejnë edhe për ekipet kombëtare në të ardhmen”, – theksoi Mema.

Trajnerët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me trajnerët e përfaqësueseve rajonale, duke shkëmbyer informacione për ecurinë e lojtarëve të evidentuar dhe për promovimin e tyre në ekipet kombëtare. Misioni kryesor i përbashkët është përgatitja e lojtarëve të talentuar dhe kalimi i tyre nëpër të gjitha ekipet kombëtare të moshave.

“Ka rajone që punojnë mirë dhe ka të tjera, që ndoshta nuk i kanë edhe kushtet aq të mira për të arritur dhe për të realizuar një punë që ne e kërkojmë me insistim për ta bërë. Sektori Teknik ka për detyrë që t’i ofrojë materialet specifike për punën që ato duhet të bëjnë dhe futbollistët e rinj që ne përzgjedhim duhet të ndihen mirë kur shkojnë nëpër ekipet rajonale. Duhet bërë një punë akoma më cilësore që ai futbollist ta ndjejë veten me të vërtetë që është pranë ekipit kombëtar. Kjo është detyra, kjo është përgjegjësia e trajnerëve të ekipeve rajonale, të cilët duhet të jenë edhe më të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm për punën që duhet të kryejnë. Planet e punës ne ua japim thuajse të gatshëm, ata vetëm duhet ta aplikojnë në mënyrë që të arrijnë ato qëllime që ne kemi”, – shtoi eksperti i futbollit, teksa u shpreh se do të merren parasysh edhe kërkesat e trajnerëve që punojnë në terren për t’i realizuar sa më mirë.

“Në takim përgjegjësit e rajoneve kanë bërë edhe kërkesat e domosdoshme që ato kanë, sepse ka ndryshime nga njëri rajon në tjetrin për kushtet që kanë. Kërkesat që janë të zbatueshme dhe ne do t’i përçojmë drejtuesve tanë që t’u krijojmë kushte akoma më të mira. Ka zona që kanë probleme të vogla që ndikojnë te cilësia e punës. Shpresojmë t’i realizojmë ato kërkesa, sepse me këtë investim që bën FSHF duhet të ketë një sukses akoma më të madh nga sa ka pasur. Ne kemi futbollistë të përfaqësueseve rajonale që sot mund të jenë pjesë e ekipeve kombëtare apo që janë transferuar në klube jashtë vendit”, – deklaroi Sulejman Mema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *