“Ia dalloja shkëndijat që te Dinamo”! Olsi Rama rrëfehet për Skukën: Ishte si një gonxhe që nuk kishte çelur, për t’u vlerësuar intuita e presidentit Demi

Olsi Rama, drejtori i Partizani, ka komentuar shitjen që shënoi historinë në futbollin shqiptar. Xhuliano Skuka u transferua te Metz për shifrën e 1.4 milionë eurove, me të kuqtë që do të mbajnë edhe 20% të kartonit. Në një intervistë për “Supersport”, Rama e vlerësoi së tepërmi Skukën si futbollist dhe tregoi premtimin që i dha teksa sulmuesi do të vishte fanellën e Partizanit.

Kërkesa ime për Skukën ka nisur para dy vitesh. Mund të kem bërë katër takime me menaxherin e tij, Elton Marini. Kur morëm Skukën, pashë tek ai disa veti dhe cilësi të mira që mund t’i shërbenin Partizanit. Nuk e parashikoja që ecuria e tij të ishte e tillë, që ai të shënonte më shumë se 20 gola në një vit kalendarit. Është si ajo situata kur shpreson më të mirën dhe përgatitesh për më të keqen, por e ndieja se kisha marrë një lojtar që do të kontribuonte, por jo tek niveli që ai arriti. Skuka ishte një bast i humbur për Dinamon, por unë e kisha parë në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe dalloja shkëndijat që tregonte vlerat në fushë.

Ka pasur interes nga disa ekipe konkrete, nga disa menaxherë. Ka pasur interes edhe për tani, në janar, edhe për në verë. Bisedimet kanë nisur që para disa muajsh, me ekipe konkrete, por ishte edhe intuita e presidentit Demi me çfarë ai shikonte  se ishte vlera e Skukës, sigurisht edhe insistimi i Shkumbin Qormemetit, që sollën oferta konkrete e që na çuan te një transferim i tillë efikas. Skuka është ai lojtar që në ato pak muaj te Dinamo nuk bëri gjë, por te Partizani gjeti ekipin ku mund të shprehej dhe arriti që të bënte golat që bëri dhe ne shpresojmë të gjemë një zëvendësues të denjë.

Kur Skuka erdhi, i kam premtuar se do të trajtohet me respekt dhe ndershmëri e profesionalizëm. Ai është një nga lojtarët më të thjeshtë me të cilët kam pasur marrëdhënie, është një djalë pozitiv dhe jashtë fushe. Ekipi e priti krahëhapur dhe për pak ditë u bë pjesë e grupit. Atë që i kam premtuar, e ka marrë. Komunikimi me të ka qenë: puno lufto e luaj. Pasi firmosi, i thashë bluzën e dytë e dua unë, të parën jepja kujt të duash. Më tha “të parën do t’ia jap babait” e jam dakord në këtë pikë.

Skuka ishte si një gonxhe që nuk kishte çelur akoma, sado largpamës të ishte. Mund të imagjinosh që çel një lule e bukur, por nuk e di se ku do të të çojë. Kur firmosa me Skukën, ishte një nga rastet më të thjeshta, shpresova më të mirën dhe në momentin që e mora, e mora me idenë që duhet të kontribuonte për ekipin. Është rezultat i punës së tij dhe  mbështetjes së ekipit që ai arriti që të shitet në këto shifra”, tha Rama. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *