Sylvinho është trajneri që do të drejtojë Shqipërinë në kualifikueset e Europianit. Braziliani kërkon që të fillojë duke arritur në shpirtin dhe zemrën e lojtarëve, jo me taktikat dhe skemat e zakonshme. Në intervistën e dhënë për “Top Channel”, Sylvinho ia ka bërë të qartë futbollistëve se askush nuk tallet dot në fushën e blertë. Gjithashtu rrëfimi nis me mënyrën sesi përfundoi në Shqipëri, për të vazhduar me urimet që mbërritën nga trajnerët e njohur.
“Është një grup njerëzish dhe menaxherësh në botën e futbollit që kanë njohjet e tyre edhe në Shqipëri. Më morën në telefon dhe më thanë se kreu i FSHF dëshironte të më takonte për një drekë në Milano. Unë jetoj në Porto, në Portugali. Mora avionin dhe shkova në Milano. Dreka shkoi shumë mirë. Presidenti më tha projektet e Federatës për Kombëtaren dhe unë i thashë të miat.
Më pas u ktheva në Portugali. Pas rreth 10 ditësh, më mori menaxheri dhe më tha: “Sylvinho, presidenti Duka të zgjodhi ty, bëhu gati”. Shqiptarët luajnë në Europë? Kështu ndodh edhe me brazilianët apo argjentinasit, luajnë në vende të ndryshme. Kështu ata mësojnë shumë dhe në këndvështrimi im është një avantazh ky fakt.
Futbolli është përmirësuar, kanë ndryshuar taktikat dhe rregullat. Por diçka nuk ka ndryshuar akoma, zemra dhe shpirti. Kjo na duhet. Njerëzit vijnë për të parë lojtarët e tyre që të japin shpirtin në fushë. Ne përfaqësojmë një komb, ne përfaqësojmë njerëz. Lojtarët do ta kuptojnë shumë shpejt se në fushë nuk tallet dot askush. Aty duhet të japësh gjithçka.
Më shkroi Tite kur firmosa kontratën me Shqipërinë dhe fola me të. Më ka shkruar edhe Roberto Mancini që kam punuar te Interi, një trajner shumë i mirë. Më uroi dhe më tha: “Të shkoftë mbarë Sylvinho, ec përpara”. Kam shkëmbyer disa mesazhe me ta”, tha Sylvinho. /Sport Ekspres/