Pavarësisht se është një prej sportistëve më të paguar në botë prej vitesh, Kristiano Ronaldo është ende i etur për të fituar shifra të majme. Sipas Marca, portugezi do të nënshkruajë me Al Nassr deri në vitin 2025 dhe do të fitojë 200 milionë euro për dy sezone e gjysmë.
Por detaje të reja po zbulohen në kontratë dhe që janë jo pak tronditëse. Njëkohësisht Ronaldo do të përdoret nga Arabia Saudite si ambasador për të bindur FIFA-n që t’i japi organizimin e Botërorit të vitit 2030 këtij vendi. Kur të marrë rolin e ambasadorit, shifrat e përfitimeve do të rriten më tepër për Ronaldon.
Arabia Saudite do ta kërkojë marrjen e Botërorit së bashku me Egjiptin dhe Greqinë. Vërtet interesante është se nga ana tjetër, rivali më i fortë për t’i hequr Botërorin këtyre vendeve është Spanja, Portugalia dhe Ukraina që po kërkojnë organizimin e këtij kompeticioni në vitin 2030. Pra Ronaldo do të paguhet që t’i heqë mundësinë vendlindjes dhe atdheut të tij për organizimin e Botërorit. /Sport Ekspres/