VIDEO/ Nuk ka “hakmarrje” për Serbinë! Serbët nuk e kapërdijnë dot eliminim dhe e mbyllin me sherr ndaj Xhakës

Serbi-Zvicër 2-3 Mitrovic 26′, Vlahovic/Shaqiri 19‘, Embolo 44′, Freuler 48′

Ashtu siç pritej, spektakli në sfidën mes Serbisë dhe Zvicrës nuk mungoi. Këtë herë nuk pati “hakmarrje“ për serbët, teksa helvetët përsëritën atë që ndodhi në Rusi 4 vite me parë. Ndeshja u zhbllokua nga një emër që Serbia e njeh mjaft mirë, Xherdan Shaqiri. Shqiponjë nuk pati, por sigurisht që sulmuesi shqiptar nuk mund të rrinte pa u treguar tifozëve serbë emrin në fanellë për ta kuptuar mirë se kush i shënoi.

Ballkanasit përmbysin rezultatin brenda pjesës së parë, teksa fillimisht Mitroviç dhe më pas Vlahoviç i dërgojnë shifrat në 2-1. Por kur mbetej edhe një minutë për t’u luajtur nga fraksioni i parë i lojës, Embolo kthen sërish baraspeshën. Pjesa e dytë  e lojës nis aty ku u mbyll e para për Zvicrën, e cila përmbys rezultatin me anë të Freuler-it. Shifrat shkojnë në 2-3 dhe mbeten të pandryshuara deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit.

Megjithatë serbët nuk mungojnë as tensionet në fushën e lojës. Serbët e kanë të vështirë të kapërdijnë eliminimin dhe në momentin që po luheshin minutat shtesë nisin një përplasje fizike me Xhakën. Gjithçka nis me një shtyrje ndaj mesfushorit shqiptar dhe më pas gjithë ekipi serb vërshon drejt tij. Por i vetëm kundër të gjithëve, Xhakës nuk i trembet syri dhe u bën ballë pa u stepur./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *