Meksika ka dështuar në arritjen e objektivit në këtë Kupë Bote. Për herë të parë në 44 vite, Kombëtarja latine nuk ia del të kualifikohet nga faza e grupeve. Diçka e tillë nuk është pritur mirë nga tifozët dhe këtë më mirë se kushdo tjetër e di trajneri i Meksikës, Tata Martino. Argjentinasi ka konfirmuar për “FOX Sports” pas ndeshjes kundër Arabisë Saudite se do të largohet nga stoli i Kombëtares meksikane.
“Kontrata ime mbaroi sapo arbitri i fryu bilbilit”, kanë qenë fjalët e thëna nga Tata Martino pas sfidës që vendoste për kualifikimin e ekipit të tij. Kujtojmë se Federata e Futbollit të Meksikës planifikonte rinovimin edhe për 4 vite të tjera në rast se Martino do të zhvillonte ecuri pozitive në këtë Kupë Bote./Halit Delibashi-Sport Ekspres/