Gjakrat janë ndezur mes shqiptarëve dhe Serbisë përpara se të vijë duelin me Zvicrën. Këtë herë janë serbët që kërkojnë hakmarrje pas shqiponjave që fluturuan në Rusi. Një flamur i vendosur në dhomat e zhveshjes ku në të përfshihej edhe Kosova, ishte vetëm sinjali i parë i asaj që do të shohim në vazhdimësi.
Mediat në Serbi janë ndezur me propagandën e tyre për Kosovën, duke shkuar shpeshherë edhe në sajesa. Në ditën e sotme, “Kurir” është hapur me artikullin: “Gazetari nga Bangladeshi i thotë Shaqirit se vjen nga Serbia, ai bën foto me të”. Sipas medias serbe, Shaqiri ka ndryshuar shumë nga koha kur bëri shqiponjën në Rusi, aq sa zgjodhi të bënte foto me gazetarin që i tregoi se kishte lindur në Serbi.
Në fakt, një gjë e tillë nuk ekziston. Shaqiri ka dalë në konferencën për shtyp me trajnerin e Zvicrës para duelit me Brazilin. Gazetari nga Bangladeshi e ka pyetur Shaqirin vetëm sesi është për të dhe shokët e skuadrës, që shumë lojtarë që ndodhen në këtë Kombetare nuk kanë lindur në Zvicër. Këtu merret shkas edhe nga fakti se Embolo që shënoi në fitoren e parë ndaj Kamerunit, në fakt kishte lindur në Kamerun. Në Serbi po shkojnë larg me sajesat, shumë larg… /Sport Ekspres/