Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Brazili e nis me fitore Kupën e Botës. Amerikano-Jugorët kanë mposhtur me rezultatin 2-0 Serbinë, që u trullos nga samba braziliane. 5 herë kampionët e Botës e kthejnë futbollin në art dhe i kujtojnë të gjithëve se çfarë është loja e bukur. Ballkanisit vuajnë përgjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në minutën e 63-të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit. Ishte Richarlison-i ai që, si Picasso, mori penelin dhe pikturoi triumfin brazilian.
Sulmuesi i Tottenham-it gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur në zonë për të shtyrë në rrjetë një top të grushtuar nga Milinkoviç-Saviç. Vetëm 10 minuta më vonë, kur Serbia nuk kishte marrë ende veten nga goli i parë, Richarlison realizon një mrekulli të vërtetë. Një asist fantastik nga Vinicius dhe Richarlison kontrollon bukur topin për të kryer një roveshatë spektakolarë që tronditi përfundimisht serbët. Kaq mjafton për të nxjerrë me kokën ulur Kombëtaren e Serbisë nga stadiumi dhe për të treguar se “seleçao“ e Brazilit ka ardhur në Katar për të qendruar gjatë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
GOL DO RICHARLISON pic.twitter.com/QhO8vf7vqe
— njdeprê – marlon ???? (@njdmarlon) November 24, 2022