Ekskluzive/ “Vodha” nga Ardian Ismajli, i thashë djemëve për golin e Skukës”! Rrëfimi i Bitrit: Refuzova Hapoelin dhe pagën e çmendur për Partizanin

Eneo Bitri! Kur erdhi në fillim te Partizani shumë dyshime kishte për këtë lojtar. Menjëherë pasi iku te Astana nisi edhe jehona e madhe e tij. Gola të shënuara, përtej sigurisë së ofruar në mbrojtje. Madje do të eliminonte nga Europa edhe AEK me golin e tij. Bitri ishte i njëjti, por kur u kthye te Partizani me këtë eksperiencë, shihej ndryshe.

Dukej i pakalueshëm dhe një mur në mbrojtje. Jo pak kontribut ka dhënë tek të kuqtë me rikthimin e tij, një rikthim që i ka kushtuar edhe shumë para të humbura me ofertën e refuzuar në Uzbekistan siç tregon vetë lojtari për Sport Ekspres. Tani me të kuqtë po shkëlqen sërish dhe arriti që të mbajë veshur fanellën e Kombëtares. Bindi në takimet e mëparshme që nuk u transmetuan në TV, këtë herë ishte radha për të zbritur në Air Albania. Në intervistën për “Sport Ekspres”, garancia e Partizanit rrëfen gjithçka.

Të luash me fanellën e Kombëtares, cila ishte ndjesia kur të thirri Reja për t’u bërë gati?

Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar kurrë në jetën time. Nuk do të më shkonte ndonjëherë në mendje se do të provoja të tilla emocione. Por sigurisht që kur më thirri Reja ndihesha shumë i gatshëm për të hyrë në fushë. Po prisja vetëm që të hyja. Pak problem është pjesa e përqendrimit në fillim, duhet të kapet ritmi, ndryshe nga lojtarët e tjerë që ishin në fushë më herët dhe e kanë më të lehtë, bëra maksimumin.

Si ishte stërvitja me këtë trajner te Shqipëria, çfarë do të veçoje nga stërvitjet e tua të mëparshme te Partizani, por edhe te Astana?

Reja ka CV të pasur dhe shumë kapacitet. Ritmi i stërvitjes është shumë më ndryshe se ai që kemi në Superiore. Kur dilje nga fusha me Rejën, dilje i rraskapitur. Impenjimi ishte maksimal dhe më bëri përshtypje pasi na mbajti shumë afër dhe na konsideroi si pjesë e grupit, sikur të kishim shumë kohë aty.

Sa shumë Partizan kishte në këtë Kombëtare, ndihesh i lumtur apo jo?

Sigurisht, ishte një vlerë e shtuar. Partizani të jep mundësinë për të qenë pjesë e Shqipërisë. Ndoshta mund ta meritonin edhe disa lojtarë të tjerë të Partizanit këtë ftesë, por është trajneri që e vendos.

Skuka shënoi golin e parë me Kombëtaren. E prisje, kishte ndonjë parandjenjë apo bisedë me shokët e tjerë të ekipit?

Skuka bën çudira kur është në ditën e tij. Kam folur me disa lojtarë të tjerë, tre shokë të ekipit dhe i kam thënë se nëse është në ditën e tij, Skuka hap ndeshjen me Armeninë me golin e parë. Kështu ndodhi. Ia di mirë cilësitë këtij lojtari.

Po shpërthimet e Tedi Carës te Shqipëria, ishin disi të papritura për ne…

Tedi është me shumë kualitet, duhet të rritet taktikisht dhe profesionalisht.

Keni luajtur tre ndeshje me Shqipërinë, besoni se jeni gati që Kombëtarja të ketë vëmendjen nga ju edhe në ndeshjet e tjera?

Ne kemi luajtur me Katarin dhe Arabinë. Përpos faktit se ndoshta nuk e kemi ritmin e lojtarëve shqiptarë që janë pjesë e kampionateve më të forta në Europë, mendoj se e kemi treguar se ne mundemi të jemi pjesë e grupit.

A ke marrë ndonjë këshillë nga mbrojtësit si Kumbulla apo Ismajli?

Kam folur me Ismajlin dhe Kumbullën, kisha kënaqësinë kur flisja me dy lojtarët e Serisë A. Me Ismalin kam folur më tepër, pasi njihesha edhe më herët. “I vodha” disa nga parimet bazë Ardianit, i lexova disa gjëra në mënyrën e duhur.

Ka pasur oferta gjatë kësaj kohe për Bitrin?

Po kam pasur disa oferta, kam refuzuar Hapoel Tel Avivin më herët pasi ndieja detyrim për të ardhur te Partizani dhe për Gaz Demin. Kam sakrifikuar një shumë të madhe parash në një klub të Uzbekistanit, një shifër që nuk krahasohet me pagesat në Superiore, vetëm për të qenë pjesë e Partizanit. /Sport Ekspres/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *