“Fjalët e mia drejtuar arbitrit meritonin karton të kuq”, Murinjo shpjegon ndëshkimin nga gjyqtari: Pata përulësinë t’i kërkoja falje

Roma ka marrë një pikë mes vuajteve në përballjen e sotme kundër Torinos. Skuadra kryeqytetase ndryshon fytyrë pas aktivizimit të Dibalës, i cili në minutën e 94-t trondit shtyllën. Topi kthehet pas në lojë dhe është Matiç ai që përfiton për të shënuar golin e barazimit. Ndërkohë vetëm dy minuta më herët Beloti godet shtyllën nga pika e bardhë e penalltisë.

Tensioni ka qenë i lartë në minutat e fundit të ndeshjes dhe moskontrollimi i nervave i ka kushtuar Murinjos një karton të kuq. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “DAZN”-in, portugezi ka pranuar se e meritonte ndëshkimin, pasi fjalët që ka lëshuar në drejtim të arbitrit nuk ishin të hijshme. Megjitahtë, pati përulësinë të shkonte ta takonte pas ndeshjes për t’i kërkuar ndjesë.

“Dëbimi është i drejtë. Fjalët e mia drejtuar arbitrit meritojnë të kuqe. Unë fola me të pas ndeshjes dhe kërkova falje për fjalët. Nuk dua të flas për lojën dhe lojën e tij si arbitër. Mendoj se kam pasur përulësinë të kërkoj falje për fjalët, por paraqitjen e tij në ndeshje dhe ndikimin hipotetik në zhvillimet po jua lë juve”, ka deklaruar Zhoze Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *