Nga Klaudio Ndreca
Çfarë ndryshoi te Laçi? Asgjë! “Hoqa dorë nga lojtarët me tipare sulmuese, po fus më pak prej tyre dhe po aktivizoj ata me tipare mbrojtëse. Ky është futbolli në Shqipëri, shumë pak ndeshje mbarojnë me diferencë golash. Shumica e ndeshjeve fitohen 1-0 apo 2-1. Askush nuk luan hapur këtu”, u shpreh Vukicevic për “Oversport” pas fitores së djeshme me Partizanin.
Në mes të shumë deklaratave që erdhën nga trajnerët shqiptarë në ditën e djeshme, ajo e trajnerit të Laçit, Vukicevic, meriton trajtim më vete. Më parë ky teknik do të dështonte mes humbjeve radhazi në kampionat, teksa asokohe Mazrekaj do të shpjegonte arsyen në “Rubrika Sportive”: “Vukiçeviç donte të bënte një lojë, që nuk ishte për ne. Edhe Guardiola që bën atë futboll që do, i blen lojtarët nga e gjithë bota. Ndërsa ne nuk i kishim të duhurit për lojën që donte Vukiçeviç”, tha Mazrekaj atëherë.
Vukicevic u kthye, sërish mes disfatave. Ai u kthye pa hequr dorë nga idetë dhe parimet e tij mbi futbollin, sado të sakta apo të gabuara të jenë ato. Malazezi mori pesë humbje radhazi me shifrat 1-0, në kufijtë e së pabesueshmes. Kur të gjithë po prisnin zyrtarizmin e largimit, presidenti i klubit i befasoi të gjithë me besimin që tregoi për trajnerin.
Rezultatet mbërritën, çuditërisht. Kurbinasit kanë mundur Partizanin, Teutën dhe Kastriotin në transfertë. Tre ndeshje, tre fitore radhazi dhe në të tre rastet, në shifrat 1-0. Kjo tregon shumë, por nuk ka vend për hamendësime, e pranoi vetë Vukicevic. Në momentin që malazezi hoqi dorë nga qasja e tij mbi futbollin dhe përshtatja në ambientin shqiptar, po vijnë rezultatet e shumëpritura.
Çfarë ndryshoi te Laçi? Asgjë! “Hoqa dorë nga lojtarët me tipare sulmuese, po fus më pak prej tyre dhe po aktivizoj ata me tipare mbrojtëse. Ky është futbolli në Shqipëri, shumë pak ndeshje mbarojnë me diferencë golash. Shumica e ndeshjeve fitohen 1-0 apo 2-1. Askush nuk luan hapur këtu”, u shpreh Vukicevic për “Ovesport” pas fitores së djeshme me Partizanin.
Po flasim për një trajner që fillimin e rrugëtimit të tij në aventurën e parë te Laçi e nisi duke humbur 3-5 me Vllazninë. E teksa kërkojmë të gjejmë arsyen se përse ekipet e Superiores dështojnë në Europë, ndoshta duhet t’i kthehemi deklaratës së Vukicevic.
Në një ambient që nuk pranon kurrë të ndryshmit, që nuk pranon kurrë të sjellësh diçka të re dhe të dalësh jashtë të zakonshmes, në një ambient që është “i dashuruar” pas katenaços dhe atyre që kurohen në detajet për mbrojtjen, por nuk dinë asgjë sa i përket krijimit të rasteve dhe kontrollit të topit, Europa na nxjerr zbuluar.
Sepse ne e dimë fare mirë se në këtë gjendje, asnjë prej ekipeve të Superiores sot nuk do të arrinin të shënonin 4 gola në transfertë ndaj Sivasporit siç i realizoi Ballkani. Sepse ne e dimë fare mirë se në këtë gjendje, asnjë ekip i Superiores nuk e mban qarkullimin e topit 70% në transfertën e Cluj siç bëri dje Ballkani, ndërsa për rumunët fitorja ishte e detyruar.
Sigurisht, kjo nuk vjen për shkak të mungesës së cilësive në krahasim me ekipin e Dajës, por mentalitetit të futbollit dhe mënyrës së të menduarit të tij. Nëse një ekip shqiptar arrin që të shënojë, ndoshta edhe një gol aksidental, menjëherë do të tërhiqet mbrapa në mbrojtje dhe do të presë që të rezistojë sa më gjatë pa pësuar. Pavarësisht se mund të vazhdojë me dominimin ndaj kundërshtarin, por kjo është zgjedhja.
Për sa kohë që ndeshjet përfundojnë 1-0 dhe 2-1, për sa kohë dallohen vetëm mbrojtësit dhe nuk i kushtohet asnjë vëmendje lojës së hapur, ekipet tona do të jenë gjithmonë në këtë gjendje në Europë. Momenti për të ndryshuar mentalitetin duhej të kishte ardhur prej kohësh, por për shkakun e sjelljes së shumicës, askush nuk të lejon që të bësh diferencën nga turma. Vukicevic e di fare mirë dhe e pranoi dje në deklaratën që nuk duhej humbur: “Përshtatu me të tjerët dhe fitoi ose dil ndryshe dhe bëj gati valixhet”. /Sport Ekspres/