Tirana u largua me tre pikë në një ndeshje në transfertë kundër Ballshit ku ndoshta edhe barazimi mund të quhej i padrejtë për vendasit. Padyshim që ekipi i Bellait meritonte shumë më tepër, fitoren.
Tre raste të krijuara në fare pak minuta në pjesën e dytë. Në disa raste Bekaj dhe në të tjera fati, bëri që Bylisi të mos shënonte. Trajneri Shehi u shpreh se e kishte parashikuar një gjë të tillë, i kishte kërkuar lojtarëve durim për të vetmin rast që do paraqitej.
Ashtu ndodhi, Florent Hasani që shpërdoron shumë raste përballë portierit në ditët e zakonshme, këtë herë e vulosi topin në rrjetë. Por kjo fitore e Tiranës nuk ishte një fitore shqetësuese për lojën e bërë, por fitore kampionësh.
Përtej fushës së vështirë dhe jashtë kushteve për Tiranën, në çdo kampionat të botës, është e pamundur që një ekip të mbajë të njëjtin nivel loje. Për këtë arsye vlen për t’u theksuar se nëse një ekip fiton edhe në ditën e tij më të keqe, është krijuar për t’u shpallur kampion. Një vlerë e Tiranës së vjetshme, një vlerë e kësaj Tirane… /Sport Ekspres/