Shqipëria ka mësuar kundërshtarët sa i përket grupit në eliminatoret e Europianit. Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë dhe Çekinë për të diskutuar dy biletat që të dërgojnë në grupet e këtij kompeticioni që do të zhvillohet në Gjermani. Ndërkohë i ftuar në “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News”, ishte gazetari i njohur, Eno Skarço. Ky i fundit ka lënë komentin e tij ku thekson faktin se grup më i lehtë nuk mund të gjendej.
“Nuk është se ka short të lehtë, por short më të lehtë se ky, nuk gjeje dot. Edhe sikur ta kishim zgjedhur vetë me dorë, me preferenca, vështirë se gjeje kombinim më të mirë. Por kjo nuk do të thotë se kemi ekipe të lehta. Polonia dhe Cekia dihet se janë rivalë të fortë. Nuk kemi asnjë kundërshtar që mund të themi: “Këtyre nuk kemi se çfarë t’i bëjmë”. Mund të përballemi dhe t’i mundim të gjitha. Polonia na tremb më shumë për shkakun e precedentëve të fundit në përballjet direkte”, tha Skarço. /Sport Ekspres/