“Duhet parë nëse ka një Lorik akoma në treg”, Cana bën humor dhe jep mesazhin: Jemi shqiptarë, s’ka asgjë të pamundur

Lorik Cana ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” mbrëmjen e sotme. Interivsta ka nisur me humor nga ana e tij. I pyetur për faktin se i mungon një si ai ekipit kombëtar, kapiteni legjendar ka bërë batutën se duhet parë nëse dikush me emrin Lorik luan ende futboll. Ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi ka komentuar më pas shortin për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, ku veçon përfshirjen në vazon e tretë si një arritje të madhe. Cana nënvijëzon se për herë të parë janë shmangur superfuqitë e Europës në futboll, duke krijuar mundësi reale për një kualifikim në Euro 2024. Në fund ka edhe një mesazh për djemtë e Kombëtares sonë, të cilëve u kujton faktin se janë shqiptarë dhe se nuk ka asgjë të pamundur.

“Nuk e di, duhet parë nëse ka ndonjë Lorik akoma në treg që luan. E vështirë. Ka qenë një Lorik në kampionatin e Kosovës, por nuk e di nëse është në nivel akoma. Unë mundohem të jem prezent në sytë e shqiptarëve nëpërmjet Champions League-s. Jam tërhequr pak. Unë futbollin vazhdoj ta ndjek gjithmonë me të njëjtin pasion, gjithmonë me të njëjtën dashuri. Aq shumë kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar. Nuk kemi qenë shpesh herë në vazon e tretë. Kjo është një arritje që është bërë ndër vite dhe nuk është pak. Për herë të parë shmangim një superfuqi në këto eliminatore dhe kemi vetëm një ekip për të lënë pas nesh. Kështu që matematikisht jemi në një situatë që nuk kemi qenë asnjëherë më parë. Duke ditur që shmangim Italinë, Spanjën, kroatët, belgët, Francën. Por kishte qenë një nga këto do të kishim vetëm një për të lënë mbrapa, por ajo një do të kishte qenë super problematike. Kështu që është diçka që të jep shumë shpresë. Unë mendoj që ekipi jonë ka mundësi për të lënë njërën nga këto dy ekipe. Patjetër që polakët janë favoritë, patjetër që mendoj se sot për sot Çekia ka diçka më shumë se ne. Por nuk është një diferencë e madhe. Po të shohësh, ekipi jonë ka shanse shumë të mirë, pa i vënë një presion të tepërt, për të qenë pjesë e një kompeticioni tjetër madhor.

Është vështirë për të dhënë këshilla kur ke vite që je tërhequr. Kam 6 vite që jam larguar nga ekipi kombëtar dhe kam 6 vjet që jam larg ambientit të ekipit kombëtar, flas për lojtarët. Kam takuar dhe kam ritakuar disa lojtarë. Vazhdoj të mbetem shumë afër me Etrit Berishën. Elseid Hysajn që e kam këtu e takoj, kam takuar Marash Kumbullën këtu në Romë. Ka shumë lojtarë të tjerë me të cilët mbetem në kontakt. Por ka shumë lojtarë të rinj që janë afruar. Tomas Strakoshën e kam pasur këtu në Romë deri vitin e kaluar. E vetmja gjë që mund t’ju them këtyre djemve është që kur njerëz dhe turma kalojnë një mesazh, është një mesazh që thjesht duhet të reflektojë çfarë presin njerëzit. Njerëzit janë shumë të vetëdijshëm. Shqiptarët shohin shumë futboll, e njohin shumë mirë futbollin. Pak a shumë njerëzit tanë e dinë se çfarë ke në dispozicion dhe çfarë mund të marrësh.

Ekipi kombëtar është një simbol dhe një përfaqësim jo vetëm i vendit tonë, por i gjithë shoqërisë sonë. Kur ai ecën mirë, na bën mirë. Është si një serum që injektohet. Mesazhi për djemtë e Kombëtares? Jemi shqiptarë. S’ka asgjë që është e pamundur”, është shprehur Lorik Cana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online