Tirana ka barazuar në një ndeshje dramatike ndaj Laçit në shifrat 3-3. Bardhebluve nuk i ka mjaftuar as “Halandi i saj” për të triumfuar, Redon Xhixha. Ky i fundit i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë, duke shënuar edhe një tjetër tre golësh, këtë herë ndaj ish-ekipit. Fillimisht ishin kurbinasit që kaluan në avantazh me Mazrekaj, që përfitoi nga hapësira boshe në prapavijë e Tiranës.
Vetëm dy minuta më vonë ishte Xhixha që barazoi dhe në të 37 kaloi bardheblutë në avantazh me një tjetër gol individual. Laçi do të barazonte me anë të 11-metërshi që shkaktoi shumë polemika në të 63, por Borsyiuk bëri detyrën dhe i saktë nga penalltia. Ishte sërish radha për Xhixhën që me një tjetër super gol, shkoi në kuotën e 10 golave të shënuara në vetëm 7 javë kampionati.
Dhe kur pritej përfundimi i takimit, Mazrekaj shënoi një gol nga distanca me goditje dënimi, në mënyrë tërësisht të pabesueshme. Një krosim që shkoi në rrjetë dhe me Bekajn që doli huq në idenë e tij sesi mund të ndërhynte. Në ditën e sotme është luajtur edhe përballja mes Erzenit dhe Egnatias që nuk prodhoi gola, duke u mbyllur me shifrat 0-0. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Kapllani: “Ne kishim lexuar dhe analizuar mirë ndeshjen me Bylisin. Nxorëm mësimet tona, të metat. E kishim analizuar mirë edhe Egnatian. E nisëm jo mirë ndeshjen, por pjesën e dytë kemi qenë ne më afër portës se kundërshtari. Egnatia po priste më tepër që të luante me kundërsulme. Nëse ndeshjet do të luheshin në Shijak, do të kishim shumë mbështetje dhe do ta kishin shumë të vështirë të gjitha ekipet e Superiores që të vinin aty. Megjithëse edhe në Durrës na mbështesin. Së shpejti do të fillojnë punimet në stadiumin e Shijakut
Tetova: “Kishim një 20 minutësh shumë të mirë në pjesën e parë. Ishim më afër goli. Po vuajmë mungesën e golit, se po dalim para porte. Mërzitja vjen kur topi nuk shtyhet në rrjetë. Nuk ngjajnë ndeshjet nga njëra-tjetra. Sot e kishim lojën në kontroll, Erzeni kishte kundërsulmet. Do të punojmë për të shënuar rastet tona”.