Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Vllaznia është një markë në futbollin shqiptar. Shkodra është fidanishte e futbollistëve, që mbush shumicën e skuadrave në vend, në të gjitha kategoritë. Ky sport është fe në kryeqendrën e veriut. Vllaznia e meshkujve e ka thënë fjalën e vet me të madhe prej dekadash. Prej vitesh edhe Vllaznia e femrave ka vendosur “diktaturën” në rang kombëtar, në të gjitha kompeticionet. Falë mbështetjes së pakursyer të presidentit Lazër Matija, vajzat kuqeblu kanë fituar titull mbas titulli në vend, pa pasur kurrë rivalë. Nëse arritjet brenda vendit mund të konsiderohen normalitet, kalimi i kufijve vrullshëm na bën krenarë të gjithëve si shqiptarë. Dhe meqë jemi te dy Vllaznitë, tashmë skuadra e femrave ia ka marrë në kthesë, kur i thonë fjalës, simotrës së djemve.
Shkuarja në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve është arritje historike jo vetëm për vajzat kuqeblu, por edhe mbarë futbollin e femrave në Shqipëri. Nëse Skënderbeu para disa vitesh bëri historinë në futbollin e meshkujve duke shkuar deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës, tashmë vajzat kuqeblu arrijnë maja edhe më të larta; fazën e grupeve të Champions-it. Medalje më nderuese për futbollin e Shkodrës dhe krejt shqiptarisë nuk mund të kishte. Megjithatë, më e bukura është përpara.
Shorti i rezervoi Vllaznisë së femrave përplasje me gjigantët e futbollit kontinental në fazën e grupeve: Real Madridi, PSG dhe Chelsea. Një shans i artë i vajzave kuqeblu për t’u shenjtëruar edhe në elitën e futbollit europian, një mundësi për t’u rivlerësuar edhe në treg, sepse do të jenë në vitrinën më të lakmuar. Pra, përvec arritjes historike sportive, përvec imazhit të jashtëzakonshëm për futbollin shkodran e shqiptar, kemi të bëjmë edhe me një përfitim të madh financiar. Të ardhurat nga UEFA do t’i vijnë në ndihmë presidentit Matija për të kaluar në një stad tjetër, tashmë europian, bashkë me vajzat kuqeblu.
Të ardhurat që do të vijnë nga UEFA për fazën e grupeve janë të shumta dhe Vllaznia mund të mbushë arkat me shifra që nuk janë parë më parë në futbollin e femrave. Në total, vetëm për këtë arritje historike, kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Vllaznia do të përfitojë minimalisht 580 mijë euro. Në rast fitoresh dhe barazimesh të ndeshjeve në grupe, shuma do të vijë në rritje. Një shpërblim mëse i merituar për ngjyrat kuqeblu të femrave, por edhe buxhetin e presidentit Matija, i cili ka vite që shpenzon nga paratë e familjes për t’ia arritur kësaj dite.
Krejt i ligjshëm emocioni, por edhe lumturia e presidentit Matija pas kësaj arritjeje historike: “Një moment gëzimi për qytetin e Shkodrës dhe krejt futbollin shqiptar. Arritje mjaft e madhe për sportin shqiptar. Para disa vitesh ishte ëndërr, tashmë realitet. Puna ndër vite e vajzave dhe klubit e ka kthye në një objektiv këtë ëndërr.
Oreksi në grupe? Një ekip që luan mjaft mirë në 32 ekipet më të mira, edhe në grupe nuk do të jetë sa për të kaluar radhën. Le t’ia lëmë fushës së blertë, sepse do të përballemi me ekipe që kanë nivelin më të lartë në Europë”.
Lazër Matija ka një përgjigje edhe për ktitikët që thonë se Vllaznia ka vrarë kampionatin e femrave në Shqipëri, duke fituat gjithcka: “Kemi vrarë ndërgjegjen e atyre pa ndërgjegje. Ne do të vazhdojmë të punojmë, pasi ky ekip është krenari kombëtare e jo vetëm shkodrane. Maksimumi i Vllaznisë dhe familjes Matija? Nuk do ta përfshija familjen, se normal ajo është pjesë e madhe e suksesit, por dua të përgëzoj vajzat që bënë maksimumin”.