Historia e pabesueshme e Nelson Hysës/ Humbi medaljen e arit se kishte ngatërruar orarin e ndeshjes, fëmija i tmerrshëm që rrihte të gjithë lagjen

Nga Klaudio Ndreca

Një shprehje popullore thotë: “Nuk është me të thënë, është me të dhënë”. Në pak fjalë, ndoshta ky mund të jetë përkufizimi i historisë së Nelson Hysës, boksierit nga Shkodra. Sigurisht, pa pretenduar që të tregojmë të gjithë jetën e tij, e cila ngjan në fakt me një film dramatik, ku tani po luftohet kaq shumë për të pasur një…”Happy End”.

Shumë vështirësi të kaluara, fati është treguar i pamëshirshëm me të në shumë raste, nëse mund ta quajmë të tillë. Nuk e ndaluan as 2 vitet e kaluara në muret e burgut, brenda një qelie, nuk e ndaloi as spitali ku e pa në frymën e fundit. Nelson Hysa u kthye në boksin profesionist dhe ka marrë 4 fitore në 4 ndeshje, duke i mbyllur të gjitha para kohe.

Lutjet e boksierit shkodran nuk shkojnë larg, ai nuk kërkon asgjë nga Zoti veçse t’i dhurojë shëndet për të treguar sesa vlen, pa pengesa dhe kombinime nga më të çuditshme jetësore që ta largojnë nga objektivi i tij, siç i kanë ndodhur rëndomtë deri tani.

Është historia e një fëmije të lëvizshëm, të shkathët, që çdo ditë gjente si thes boksi fëmijët e tjerë të komshinjve. Sa shumë probleme të shkaktuara për familjarët që kishin listë të gjatë ankesash. Nuk mjaftonin as britmat, as dënimet. Vëllai i madh i jepte zemër, për pjesën tjetër kujdesej Nelsoni. Jemi akoma në kohën kur ishte më i vogëli i lagjes, por i zgjidhte situatat gjithmonë me dy grushta, edhe kur ishin të panevojshme.

Nëse të gjithë uleshin në bankë për të mësuar, Hysa dallonte fare lehtë mbi të tjerët. Qëndronte në fund të klasës, por në këmbë dhe në lëvizje, vendi nuk e mbante nga energjia e madhe. Ky fëmijë problematik shfaqej edhe në lojërat mes shokëve. Nëse e humbiste lojën, kalonte menjëherë në atë që ai dinte të bënte më mirë, të jepte grushta. Kjo ego shfaqej kudo, nga basketbolli dhe deri te kalçeto, gjithmonë duhet të kishte vetëm një fitues, Nelsoni.

Familja e kishte regjistruar në të gjitha sportet e mundshme, përveçse boksit. Duke parë energjinë dhe shkathtësinë e tij, ata ishin të bindur se djali i tyre duhej të merrej me sport. Por kishte një kusht të rëndësishëm që binte ndesh me pasionin në vetvete: “Vetëm në boks nuk shkon”.

Pas shumë lutjesh, ky fëmijë i praptë arriti që të bindte babain ose më saktë, gjeti një ditë të mirë të vitit. Babai i Nelsonit kishte si mik të ngushtë një trajner të Vllaznisë në boks. Plani nuk ishte për t’i dhënë jetë dëshirës së djalit, por për t’i treguar që nuk bën për këtë sport dhe kështu “veshët binin në qetësi” në shtëpi. Planet shkuan për dreq, pas stërvitjes së parë, trajneri i Vllaznisë befasohet nga aftësitë e Hysës, që asokohe ishte 15-vjeç kur iu plotësua ajo që quhet…dëshira e jetës.

Trajneri i kërkoi menjëherë babait: “Nelsonin do ma lësh mua, ky është i lindur për boks”. I habitur dhe mes shumë justifikimeve të nxjerra, babai i Hysës dorëzohet dhe nuk kishte rrugë tjetër. Profesori kishte vënë re edhe shndërrimin e syve, dëshirën, pasionin e një të riu që nuk kërkonte të bënte asgjë tjetër në jetën e tij, veçse të ishte yll i madh i këtij sporti. Koha i dha të drejtë, ky djalë u shpall 21 herë kampion i Shqipërisë dhe mori medaljen e parë europiane të Shqipërisë.

Vetëm tre ditë stërvitje mjaftuan dhe trajneri e thërret djaloshin për ta pyetur nëse ishte gati për kampionatin e U-16, që zhvillohej vetëm 7 ditë më vonë. Duke fluturuar nga gëzimi, përgjigja nuk mund të ishte kurrsesi negative. Menjëherë do të shpallej kampion në këtë turne të organizuar, për të treguar fare mirë aftësitë e lindura që ishin të kombinuara në fund të fundit, vetëm me 10 ditë stërvitje në gjithë jetën e tij.

Një muaj më vonë gjendet një tjetër aktivitet për Nelsonin, këtë herë kampionati i U-18. Megjithëse ishte vetëm 15-vjeç, jo vetëm që konkurroi denjësisht, por u shpall sërish kampion. Suksese të panumërta në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, me medalje dhe kryesorja, pa asnjë humbje.

Ishte viti 2003 kur në kampionatin europian që u zhvillua në Varshavë të Polonisë do të vinte medalja e bronzit, e para për Shqipërinë në çdo kampionat dhe aktivitet, botëror apo europian. Askush nuk e priste që ne do të dilnim me medalje, veçse Hysa që ishte i bindur në aftësitë e tij.

Por ironia e fatit nisi që asokohe, pikërisht në atë moment. Pasi fitoi dy ndeshje dhe siguroi medaljen, boksieri shkodran po priste për finalen e madhe. Pasi mbaron peshimet dhe po qetësohej në dhomë duke pritur orarin e takimit, dera do të trokiste.

Ishte një përfaqësues nga një tjetër shtet që e pyet: “Hysa, pse nuk erdhe për finalen?”. Tërësisht i befasuar dhe pa fjalë, shkodrani mëson se ishte ngatërruar orari i ndeshjes. Ajo kishte nisur në orën 11:00, ndërsa luftëtari shqiptar po bëhej gati për orën 13:00. Rivali nga Rusia që e priste në ring kishte fituar ndeshjen për shkakun e mungesës së Hysës. Pavarësisht tentativave me organizatorët për t’i shpjeguar të vërtetën dhe për të ndryshuar diçka, Nelsoni humbi medaljen e arit thjeshtë se…ngatërroi orarin. Jashtë fantazisë!

Me kalimin e viteve dhe korrjen e sukseseve, në 2015 kishte edhe një ofertë zyrtare nga Meksika, për të përfaqësuar këtë shtet. Por teksa njeriu bën plane, Zoti qesh. Në atë moment disa gjëra që shënuan jetën dhe karrierën e Hysës bën që të tërhiqej për pak kohë nga sporti dhe stërvitja, por kurrsesi t’i largonin nga koka “idenë e sëmurë” që kishte lindur bashkë me të, të ishte ai që donte të ishte, në majën e botës.

Këtu dallohet edhe forca e vërtetë, ri ngritjet janë ato që tregojnë karakterin e njeriut. Të gjithë bien një ditë, por në fund fitojnë ata persona që nuk zgjedhin që të rrinë të shtrirë dhe duke u ankuar për plagët e marra, shpeshherë edhe me pa të drejtë. Me “jetën e dytë” që i është dhënë, Nelsoni ka arritur të fitojë 4 ndeshje nga 4 të mundshmet në boksin profesionist. Duke parë të gjithë këtë kalvar, frika dhe mungesa e guximit janë fjalët e vetme që fjalori i shkodranit nuk njeh. Arena e boksit i duket si një cirk, duke kujtuar muret e spitalit dhe të burgut, forca i shtohet për të tmerruar më tepër kundërshtarin.

Po aq sa i ngjallen kujtimet e së shkuarës teksa stërvitej në atë palestrën e vjetër me njolla dhe shenja gjaku. Atë palestër ku duhej të lutej çdo ditë te babai në shtëpi që të shkonte një ditë. Për këtë arsye, Nelson Hysa ka kaq shumë uri që emri i tij jo vetëm të mbizotërojë në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. Ky nuk është fundi i një historie, por hapja e një kapitulli të ri. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *