Në ditën e sotme janë luajtur dy takimet e radhës të Superiores. Vëmendjen kryesore e mori derbi mes Laçit dhe Kukësit. Të dy këto ekipe ndodheshin në zonën e ftohtë me një nisje për të ardhur keq. Por verilindorët e drejtuar nga ana e Dobit kanë arritur të fitojnë me shifrat 0-1. Goli i vetëm u shënua nga sulmuesi Barbosa, që me kokë arriti të linte në vend tre lojtarët e Laçit.
Pjesa e parë i takoi Kukësit, që u shfaq më tepër e rrezikshme. Ndërkohë në 10 minutat e dyta kishim një zgjim të Laçit që po e kthente ndeshjen me një portë, por në disa raste Tafas dhe në tjera mbrojtja, arritën ta mbajnë të paprekur rrjetën e tyre. Kështu Laçi shkon në vendin e fundit të Superiores. Nga ana tjetër nuk kishte fitues te Egnatia-Kastrioti. Pavarësisht dëshirës së lojtarëve për të shkuar te goli, të dy këto skuadra duhet të ndanin pikët. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Tetova: “Kishim vonesa në presion. Rastet ishin për ne dhe për Kastriotin, barazimi ishte rezultat i drejtë. Futëm edhe tre sulmues për të bërë diçka, por ishte e njëjta situatë. Gjithëkush duhet të bëj detyrat për të shkuar te goli. Edhe ndeshje kishte shumë vonesa. Lojtarët shtrihen, rrinë 3-4 minuta dhe ulin shumë ritmin e lojës. Ky është një problem, nuk e di zgjidhjen, ndoshta ishin të vrarë”.
Vukicevic: “Është një situatë shumë e vështirë, si fillim për humbjet që i kemi të gjitha nga 1-0. Duhej të gjejmë zgjidhjen. Nuk e di se çfarë them kur humbet 5 herë nga 1-0 dhe humbet nga një korne. Nuk them dot se ekipi luajti keq. Por rezultati është negativ dhe kjo është e vërteta e vetme. Lojtarët humbasin besimin te vetja pas 5 dështimeve, është normale”.
Cela: “Të vish të luash këtu në Rrogozhinë është bërë kënaqësi. Kushtet, ambienti këtu, janë perfektë. Vetëm dy minuta kishim kohë që të përgatisnim ekipin pas nxehjes, pasi Egnatia kishte ndryshuar komplet skemën. E kontrolluam lojën. Unë jam shumë i kënaqur nga ekipi. Rastet ishin nga ana jonë. Një rast ia dhuruam ne në pjesën e parë dhe pastaj ishim ne në fushën e lojës që po sulmonim”.
Dobi: “Kukësi është i Kukësit, ende jo i Dobit. Ky ekip tregoi karakter dhe dinjitet. Sot treguam pjekuri. Nuk duhet të kënaqemi vetëm me kaq. Ky është një kilometër i vogël në një autostrad të gjatë. Duhet të kemi vazhdimësi, sot nuk ishim të përkryer. Gjërat në futboll kërkojnë kohën e tyre, duhet të jesh këmbëngulës. Duhej të bënim më mirë në kundërsulm në pjesën e dytë”.