“Duam lotët e pafajshëm të Brojës te Southamptoni, sesa një sulmues te Chelsea me mentalitetin e huaj në finalen e Kombëtares”

Që në momentin kur shkëlqeu me në radhët e Vitesse-s, Armando Broja është kthyer në një çështje në ekipin tonë kombëtar. Me cilësitë që zotëron dhe me potencialin e madh për të ardhmen, sulmuesi nga Malësia e Madhe është kërkuar me ngulm të jetë prezent nga minuta e parë në çdo ndeshje të Kombëtares, me shpresën se do të jetë pikërisht ai i cili do të na prijë drejt fitoreve. Një presion i madh bie mbi supet e 21-vjeçarit, teksa goli dhe mbiemri Broja janë dy sinonime që zëvendësojnë njëra-tjetrën për tifozët shqiptarë.

E për një lojtar që po aktivizohet me Chelsea-n dhe me një talent të dhuruar nga Zoti diçka e tillë pritej. Por sa do të ndikonte e gjitha kjo trysni mediatike dhe sportive mbi supet e tij ende të njoma? Përgjigjen e ka dhënë vetë Broja në konferencën për shtyp përpara sfidës me Izraelit. “Nuk kam presion. Luaj futboll për qejf që 3 vjeç”, ishte fraza e dalë nga goja e Brojës, që tregon dukshëm mentalitetin e një lojtari të madh e që lë mënjanë emocionet në fushën e lojës.

Megjithatë këto fjalë sollën nga pas edhe dilemat e veta. Në njërin krahë qendrojnë ata që mendojnë se një mentalitet i tillë i nevojitet Kombëtares sonë, pasi një person që nuk ka emocione përpara portës mund të shënojë më lehtë. Ndërsa në krahun tjetër qendojnë ata të cilët presionin e shohin si një mjet për të të nxitur emocionalisht që të nxjerrësh më të mirën nga potenciali yt.

Për një popull si i yni që lidhet emocionalisht me fanellën, kurrsesi nuk e ka pranuar një mentalitet kaq të ftohtë dhe indiferent ndaj faktorëve të jashtëm. Grinta dhe dëshira për të djersitur në fushë, ndonjëherë justifikon edhe mungesën e golit për tifozët e Kombëtares. Por asnjëra e as tjetra nuk u panë në Izrael nga Armando Broja.

Mungesa e minutave te Chelsea duket se dha efektin e vetë, teksa solli vendosmëria e sulmuesit shqiptar përpara porte ishte lëkundur ndjeshëm. Dy raste të pastra ballë për ballë me portierin dhe asnjëri nuk u finalizua me gol. Ndoshta kritikat zbehen disi nga fakti se të dy situatat u krijuan nga po vetë ai, por ajo që lë një shije të keqe është mungesa e grintës dhe dëshirës për të treguar diçka më shumë te Kombëtarja se sa te Chelsea.

Tifozët shqiptarë kanë nevojë për lotët e kristalta të një të riu të pafajshëm që kërkon të tregojë se ku e ka vendin e tij. Një vit më parë ishte stoli ai që luajti me ndjenjat dhe egon e Brojës, i cili nuk nguroi t’i tregonte Rejës se sa shumë gaboi. Ndoshta nuk luante me fanellën e Chelsea-t dhe ishte pjesë e një ekipi më të vogël si Southamptoni, por kur thirrej në Kombëtare kishte motivimin e duhur për të dërguar lojën e tij në një nivel më lart nga se ne ishim mësuar. Hyn nga stoli, shënon golin e fitores ndaj Hungarisë dhe shpërthen jashtë vetes gjithë emocionet dhe inatin e mbledhur brenda tij.  Kaq mjaftoi që shqiptarët të dashuroheshin me të. Më shumë se sa goli, ishte dëshira për të shënuar me çdo kusht ajo që bëri për vete tifozerinë kuqezi. Në fund të fundit futbolli pikërisht për atë adrenalinë dhe emocion luhet./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *