Do të jetë ndërtim modern, FSHF investon për stadiumin në Vorë

Vora është stacioni i rradhës i investimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti, po investohet në fushën e re të stadiumit që po rindërtohet i gjithi, si edhe në një fushë të re stërvitore që do të përdoret nga ekipet e moshave.

Për të inspektuar punimet e këtij investimi të rëndësishëm, ishte Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, sëbashku me Kryetarin e Bashkisë Vorë, Blerim Shera, që u shfaqën entusiast për punën e kryer deri më tani dhe nënvizuan impaktin që ky investim do të ketë në këtë qytezë të rëndësishme afër kryeqytetit.

Sekretari i Përgjithshëm Shulku theksoi se investimet në infrastrukturë janë jetësore për të pasur më shumë fëmijë që merren me futboll. “Jemi në stadiumin e Vorës bashkë me kryetarin e Bashkisë së Vorës, në fazën finale të përfundimit të punimeve për të përmbushur investimin në këtë kompleks. Kemi investuar së bashku, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Bashkia e Vorës, për zhvillimin e infrastrukturës në këtë qytet. Do të jenë dy fusha. Fusha e stadiumit dhe vetë stadiumi do të jetë në kushte optimale. Besoj se ky investim do ta gjallërojë shumë jetën sportive në qytetin e Vorës dhe gjithashtu edhe fëmijët e këtij qyteti do të kenë mundësi të argëtohen dhe të kenë mundësi të merren me sport.”

Kryetari Blerim Shera gjithashtu nënvizoi prioritetin e Bashkisë së tij, për të pasur gjithmonë e më shumë të rinj që merren më futboll. “Jemi sot në ambientet e stadiumit të ri të Vorës. Këtu po bëhet një investim së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit. Sapo e kemi kanalizuar këtë marrëveshje, e kemi kaluar në Këshillin Bashkiak në Bashkinë e Vorës. Ky do jetë një stadium modern dhe do të jetë një frymëmarrje për të gjithë banorët e qytetit që të aktivizohen sa më shumë të rinj dhe të përfshihen në sport, për të pasur një jetë sa më të shëndetshme për të gjithë komunitetin dhe qytetarët e Vorës.

Pritet sigurisht të ketë një impakt social dhe ekonomik. Përveç stadiumit që kemi përfshirë në këtë projekt së bashku me FSHF-në, kemi edhe një fushë tjetër, që do të përdoret për stërvitje dhe do t’i shërbejë Akademisë për të nxitur sa më shumë të rinj që të përfshihen në sport”, përfundoi Shera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *