Talenti nga Nigeria që pret të luajë me Tiranën dhe të përfaqësojë Shqipërinë një ditë: Dua të bëhem si Mbappe

Të shumtë janë fëmijët që stërviten në “Skënder Halili” me dëshirën e madhe të mbartur për të luajtur edhe ata në nivelet më të larta të futbollit në Shqipëri, për të përfaqësuar ekipin e Tiranës. “A2 Cnn” ka zgjedhur një histori vërtet interesante, atë të Isak Alechenu. Djaloshi nga Nigeria e ndjek klubin bardheblu në çdo ndeshje nga stadiumi, duke u lidhur me fanellën së tepërmi.

15-vjeçari është mëse i kënaqur nga qëndrimi në vendin tonë dhe ëndrrat në sirtar i janë shtuar, tashmë nuk është vetëm ajo e përfaqësimit të Tiranës, por edhe të Shqipërisë me Kombëtaren A. Rruga është e duhur pasi Alechenu është parë në listën e Kombëtares U-15. Në një intervistë me gazetaren Dea Kozma, nigeriani që e flet kaq rrjedhshëm gjuhën shqipe, tregon përshtypjet e para.

“Këtu ka luajtur babai im dhe pikërisht për ekipin e Tiranës. Shqipëria është vend i bukur, me shumë, shumë kulturë dhe më pëlqejnë edhe njerëzit. Ky është viti im i parë dhe synoj që të jem kampion. Më pëlqeu vetë ekipi, pa ndikimin e babit. Pritja te Tirana? Ishte një atmosferë shumë e bukur. Lojtarët ishin korrekt dhe mikpritës dhe më pëlqen shumë kjo harmonia që kemi midis njëri-tjetrit. Nga ngjyra mund të dallohem, është gjë që mund ta shohësh, por gjithsesi nuk më ndikon në jetën time. Idhull nuk kam, por një lojtar që më pëlqen më shumë është Mbappe dhe dua të arrij atë nivel në jetën time”, tha Alechenu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *