“Më quajnë tradhtar në Shqipëri”! Pirro Dhima i kthehet me gjyq Elez Gjozës: Për të armiqtë janë grekët, këtë herë flitet ndryshe

Shqipëria nxjerrë kampionë në fusha të ndryshme të sportit, por zakonisht jemi mësuar që në peshëngritje t’i kemi të gënjeshtërt. Sigurisht, asnjë dëshirë për t’i zbehur arritjet të gjithë sportistëve që ia kanë dalë të marrin medalje me djersën e tyre, por shumë herë dopingu na kthehet si një makth për të ngrirë buzëqeshjen.

Nëse ndodh njëherë, mund të justifikohet deri diku dhe falet. E përsëritur në emra dhe raste të ndryshme, atëherë shpjegimi gjendet në organizimin e dobët që ka vetë Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Ndërkohë kryetari i kësaj Federate, Elez Gjoza, e ka gjetur mënyrën sesi të mbrohet në këto ditë “të errëta”.

Rasti i fundit që solli skandalin e madh ishte Evangjeli Veli që doli positive në testin e saj me gjurmë stanazololi dhe duhej të linte medaljet e fituara. Por kjo ishte hera e tretë në harkun kohor të vetëm një vit e katër muajve që raste të tilla kapeshin nën drejtimin e Gjozës.

Ky i fundit ka vazhduar me “gjuetinë e tradhtarëve” duke e kaluar fajin te “grekët” dhe vëllai i Pirro Dhimës, Odise Dhima. Sipas Gjozës është ndërtuar një ndërtuar një skemë nga Greqia për të ulur poshtë imazhin e Shqipërisë, të paktën në këtë mënyrë e ka shitur të gjithë situatën. Kundërpërgjigja ka ardhur menjëherë ,e ashpër madje.

Pirro Dhima, anëtar i komitetit ekzekutiv në Greqi dhe zëvendës president i federatës botërore u shpreh se këtë herë do ta dërgojë Elez Gjozën në gjyq për akuzat e hedhura, për ta quajtur si një “shaka” të madhe. Por nga ana tjetër, lufta e hapur nga Gjoza nuk është një shaka. Kjo pasi ka goditur jo vetëm influencën e madhe që ka Federata Greke e Peshëngritjes, por njëkohësisht edhe atë Botërore duke ditur postin që mbart Pirro Dhima.

“Ky person (Gjoza) është një shaka e madhe. Është e trishtueshme pasi është hera e dytë që Gjoza fajëson Greqinë për rastet positive të Shqipërisë, por këtë herë Federata Greke e Peshëngritjes do të shkojë në gjykatë. Disa njerëz më trajtojnë si tradhtar në Shqipëri dhe ky është justifikim i mirë për Gjozën”, u shpreh Pirro Dhima. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *