Kampionët e Superiores do të ndeshen në përballjen e parë që hap këtë sezon të ri me Kukësin. Verilindorët vijnë me drejtimin e Skënder Gegës që ka punuar jo pak gjatë gjithë kësaj periudhë për të ndryshuar diçka të ekipi. Në konferencën për shtyp, trajneri i Kukësit është shprehur se kundërshtari nuk do të mbivlerësohet.
“Kënaqësi të jem këtu në stadiumin e Kukësit një ditë para ndeshjes së parë të këtij edicioni. Kemi pasur në dispozicion një kohë të gjatë, jemi munduar të jemi aktiv dhe të fillojmë ndërtimin e ekipit. Kemi pasur lëvizje të ndryshme, jemi munduar që të afrojmë lojtarë të rëndësishëm që na duhen.
Besoj se kemi bërë më të mirën me mundësitë që kemi pasur. Kemi pasur dhe lojtarë që i kemi pasur në planet tona dhe jo të gjithë kanë thënë po, edhe pse klubi u ka plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Jemi munduar gjatë gjithë kësaj kohe të marrim 100% nga secili dhe kjo është sfida jonë, që të marrim më të mirën e mundshme .
Tirana? Për një trajner profesionit dhe një ekip profesionist duhet vlerësuar çdo ekip. Tirana është një klub i madh, me traditë. Ata kanë lojtarë me përvojë dhe cilësi. Ne e vlerësojmë por kjo s’do të thotë se e mbivlerësojmë Tiranën. Ne e dimë potencialin tonë dhe shpresoj të dalim në 100% tonë. Vetëm ndeshjet mund ta tregojnë se ku çalojmë dhe çfarë mund të përmirësojmë.
Objektivi ynë dihet, luajmë para tifozëve tanë që besoj se do na mbështesin. Çdonjëri nga ne do të marrë më të mirën. Është një proces i përbashkët dhe fusha do e tregojë. Merkato? Është e hapur, jemi munduar t’i dublojmë pozicionet. Klubi na ka lënë dorë të lirë që nëse do ketë nevojë do ketë ndërhyrje në disa reparte. Unë nuk kam dëshirë dhe nuk është etike për mua që këta që janë sot e kanë firmosur të rrinë me dilemë. Sot janë pjesë e ekipit dhe do mundohemi të marrim maksimumin. Nëse dikush do afrohet në të ardhmen, e ka derën e hapur.
Gjëra që nuk funksionojnë dua ti marr vetë përsipër. E ndaj administratën me ekipin e futbollit. Në klub kanë ardhur shumë njerëz, menaxherë, drejtorë, dhe ata që kanë pranuar ofertat kanë qenë më të saktë. Kam pasur dorë të lirë, por përsosmëria nuk ka fund. Kam stërvitur lojtarë që sot janë në Seria A dhe La Liga, por kjo s’do të thotë se do i sjellim këtu. Klubi ka bërë më të mirën për tregun shqiptar”, tha Gega. /Sport Ekspres/