Vllaznia gjendet në Rumani, ku do të përballet me Universitatean e Craiova-s në një sfidë që do të përcaktojë se cili ekip kalon në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Josa është paraqitur përpara gazetarëve në konferencën për shtyp, në të cilën kujton edhe momentet kur ka luajtur kundër Dinamos së Bukureshtit. Kuqeblutë kanë kryer një udhëtim të gjatë për të mbërritue në vendin ku do të luhet ndeshja, por ky nuk përbën asnjë justifikim për trajnerin 59-vjeçar. Josa ka sjellë në kujtesë udhëtimin e tij me autobus pas të cilit i shënoi Dinamos së Bukureshtit.
“Rruga nuk do të jetë justifikim nëse nuk kualifikohemi, këto ishin kushtet tona të udhëtimit dhe kaq. Ne do të japim 100% në këtë ndeshje. Favoriti është Universitatea e Craiova-s, por futbolli është i paparashikueshëm. Duhet respektuar futbolli për të korrur shperblimet. Unë e di që Universitatea ka bërë dy ndeshje kampionati dhe ka barazuar, ndërsa ne 4 miqësoret i kemi fituar. Në 1986-n kam luajtur në Kupën e Kupave me Dinamon e Bukureshtit, dhe e dini çfarë niveli ishte Dinamo në atë kohë, kishte 9 lojtarë që luanin në Kombëtare dhe trajner ishte Mircea Lucescu, një zotëri.
Ne fituam pastaj 1-0 në raund, portieri Lung gaboi. Më pas u nisa nga Tirana me autobus dhe çfarë autobusi ishte në atë kohë… Fjeta në Sofje një natë, kalova Danubin, mbërrita në Bukuresht të hënën, fjeta në kampin stërvitor të Kombëtares, luajta dy ditë më vonë. Të mërkurën fituam 2-1 dhe shënova golin e dytë. Nuk do të thotë që nesër do të shënoj, sepse nuk do të luaj. Kështu që doja të them se çështjet e transportit nuk janë justifikim për dështim”, ka deklaruar Mirel Josa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/