Te Craiova nuk është aspak atmosferë e mirë para ndeshjes së kthimit me Vllazninë. Në këtë sezon të ri, në tre ndeshjet e para janë marrë tre barazime, pa arritur ende te fitorja. E fundit ishte ajo e ardhur në mbrëmjen e djeshme kundër Cluj në shifrat 1-1. Durimi është sosur tek drejtuesit, teksa Mihai Rotaru ka shpërthyer deri në atë pikë aq sa shprehet se disa lojtarë nuk e meritojnë më që të veshin fanellën e skuadrës.
“Do t’i referohem asaj që po ndodh këtu. Është e qartë se ka lojtarë që kanë zhgënjyer, është e qartë se ajo që ndodhi dje është turp. Nuk lejohet të veshësh fanellën e Craiovas nëse paraqitesh në këtë mënyrë. Ka lojtarë që nuk kanë të bëjnë fare me Craiovan. Jam i zhgënjyer me disa lojtarë, jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Lojtarët tek të cilët kemi besuar gjithmonë, u kemi dhënë shanse, kanë qenë në vëmendjen tonë. Janë dy, tre, katër lojtarë që nuk kanë çfarë të bëjnë më këtu.
Është e qartë se duhet të forcohemi. Pjesa e parë e djeshme ishte një fatkeqësi. Ishin disa lojtarë që nuk kanë luajtur në Shqipëri me Vllazninë, por të prezantohesh në këtë mënyrë, është e turpshme. Mungesë vullneti, qëndrimi, interesi për jetën e tyre. Për të pasur sukses në jetë duhet të luftosh, askush nuk të jep asgjë falas”, tha Mihai Rotaru. /Sport Ekspres/