Armando Sadiku ka gjetur skuadër të re për sezonin e ardhshëm. Pas refuzimit për të rinovuar me Las Palmasin, sulmuesi shqiptar ka firmosur një kontratë një vjeçare me Kartagjenën, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Është vetë klubi i ngjitur këtë edicion në La Liga 2 që zyrtarizon transferimin e Sadikut, të cilin e prezanton për tifozët me titullin: “Armando Sadiku, kthetra dhe gola për sulmun e Luis Karrionit“. Ndërkohë ekipi spanjoll tregon edhe profilin e sulmuesit shqiptar përmes faqes së vetë zyrtare.
“Futbollisti shqiptar karakterizohet si një lojtar zone që shquhet për aftësinë e tij për të punuar në të mirë të skuadrës, për guximin dhe karakterin e tij të fortë në fushë. Përveç kësaj, përkufizimi i tij në pozicionin e qendërsulmuesit e ka bërë atë gjatë karrierës së tij të shënojë gola në të gjitha skuadrat në të cilat ka luajtur. Sezonet e tij më të mira ishin në Locarno (sezoni 11-12 dhe 22 gola) dhe në FC Lugano të Zvicrës (sezoni 12-13 dhe 22 gola). Në paraqitjet e tij në Spanjë, sulmuesi shqiptar spikati në sezonin 19-20, duke shënuar 13 gola për Málagan në LaLiga SmartBank. Në ditët në vijim Sadiku do të udhëtojë nga Shqipëria për t’iu bashkuar Luis Carrión-it në parasezonin që klubi ynë po zhvillon në ambientet e klubit La Manga“, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e klubit Kartagjena./Halit Delibashi-Sport Ekspres/