Ekskluzive/ “Tirana e nisi ndeshjen pa asnjë respekt për Dudelange, e nënvlerësuan”! Egbo tregon arsyen e humbjes: Të përsëritet Skënderbeu, duhet të futemi si inferior

Nga Klaudio Ndreca

Tirana nuk arriti dot që të kalonte në turin e dytë të Champions League duke u mundur nga Dudelange. Më shumë sesa një eliminim në këtë fazë, ajo që la shije të hidhur ishte fakti se bardheblutë zotëronin më shumë cilësi dhe potencial si kundërshtari i tyre. Por sigurisht, një gjë e tillë duhet të dëshmohet në fushën e lojës, askush nuk fiton në letër.

Gjithmonë e kemi thënë se ekipet shqiptare kanë një problem në mentalitet dhe këtu nuk po flasim vetëm për Tiranën. Rasti më i pastër ishte ai i Ballkanit që po festonte mes ovacioneve dhe shpërthimit emocional kur letra tregoi përballjen me Zalgiris, ndërsa këta të fundit e eliminuan nga Champions League.

Pra në rastet kur shorti na sjell një kundërshtar të fortë, ndeshjen e humbasim që në atë moment. Ndërsa kur kemi një rival më të lehtë, qasja është krejtësisht e gabuar me mendjemadhësinë e treguar në fushë. Kundërshtari ideal nuk ekziston për ne.

Sport Ekspres ka intervistuar trajnerin kampion të Tiranës, Egbo, që bëri paraqitje fantastike në Europë. Turin e parë të Champions League do ta kalonte kundër Dinamo Tbilisit në transfertë, ndërsa edhe pse humbi me Crevena Zvezdën, bardheblutë ishin më shumë sesa dinjitoz, duke i bërë gjigandët serbë të djersinin deri në sekondën e fundit.

Për këtë arsye mendimi i Egbosë ka vlerë të madhe në këtë moment për të treguar se çfarë nuk shkoi me kampionët e Superiores kundër Dudelange. Përfundimi është po ai, nënvlerësimi i madh për kundërshtarin dhe mungesa e respektit e treguar për kampionët e Luksemburgut. Madje Egbo shprehet se në fushë duhet të futesh gjithmonë kokë ulur dhe inferior.

Ish-trajneri i kryeqytetasve ka thënë se ekipi gaboi shumë në ndeshjen e dytë për vetë mënyrën sesi e nisi ndeshjen, me ngutjen e madhe për të shënuar menjëherë dhe duke mos treguar respekt për Dudelange. Një gjë e kundërt nga koha e Egbos, që fitoret i arrinte gjithmonë në minutat e fundit, me durimin që e karakterizonte atë dhe vetë klubin për të goditur atëherë kur pakkush e priste.

“Në radhë të parë dua që të uroj Tiranën për fitimin e titullit kampion. Shpresoj se ata do të shkojnë në grupet e Conference League tani që u eliminuan nga Champions League. Një ose dy klube shqiptare duhet të futen të paktën në grupin e Conference League për të dëshmuar rritjen e futbollit shqiptar. Po ashtu si është futur edhe Skënderbeu dy herë në grupet e Europa League dhe e ka çuar lart futbollin shqiptar.

Ka ndryshime mes kampionatit shqiptar dhe atij të Luksemburgut. Unë nuk mendoj se kampionati në Luksemburg është më i mirë se ai në Shqipëri. Tirana e humbi ndeshjen e dytë sepse e kishim nënvlerësuar Dudelange. Tirana e ka kontrolluar ndeshjen e parë, pavarësisht se humbi. Dudelange nuk është më i mirë se Tirana, por nënvlerësimi që i bëri Tirana, e bëri Dudelange të dukej më i mirë. E kam gjithmonë një shprehje që ua them lojtarëve: “Ekipi tjetër është i mirë, aq sa e lejojmë ne të duket i tillë”.

Këtu e shoh gabimin e Tiranës ndaj Dudelange, sidomos në ndeshjen e dytë. Tirana e nisi me shumë vrull për të shënuar shpejtë dhe për të përmbysur rezultatin, pa asnjë respekt për rivalin dhe kjo i kushtoi shumë. Rivali duhet të respektohet maksimalisht dhe duhet futur në fushë si ekipi më inferior, për të pasur përqendrim maksimal, pa lënë asnjë hapësirë. Më pas me kundërsulmet dhe lojtarët e shpejtë mund të shënohej në çdo moment. Këtë e përdorëm kundër Dinamo Tbilisit në Gjeorgji dhe kundër Zvezdës, që kishim ato paraqitje të mirë. Nga ai ekip ishte ende Najdovski, Ismailgeci dhe Toshevski që duhej të kishin ditur se çfarë po bënin”, tha Egbo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *