FSHF do të testonte për herë të parë në finalen e Conference League edhe programin e vullnetarëve. Këta të fundit siguronin organizimin e ndeshjes, ndërsa nga ana tjetër përfitonin eksperiencë dhe në fund shpërbleheshin me certifikatat. I suksesshëm do të rezultonte për FSHF, ndërsa Vllaznia e përsërit të njëjtën formulë kundër Craiovas.
“Bëhu pjesë e një eksperience unike dhe historike! Klubi i futbollit Vllaznia ju ofron mundësinë të bëheni pjesë e programit të vullnetarëve. Ky program ka si qëllim realizimin e ndeshjes të kompeticionit “UEFA Europa Conference League” ndaj ekipit Universitatea Craiova, e vlefshme për sezonin 2022-2023, një event i rëndësishëm që do te organizohet nga KF VLLAZNIA, që do të zhvillohet më 21 KORRIK 2022, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ju bëjmë me dije se do të bashkëpunoni me ekipe profesionale në fushën e eventeve sportive dhe të të gjithë dimensioneve të organizimit të një eventi që do të presë me mijëra vizitorë. Të gjithë i dimë emocionet kur shohim një ndeshje, por programi i vullnetarëve do ju njohë me magjinë, sfidat dhe arritjet gjatë organizimit të saj. Suksese me aplikimin! Ekipi mezi pret t’ju njohë!
Vullnetarët e Kontrollit të Aksesit do të luajnë një rol integral në krijimin e një mjedisi të sigurt në objektet e stadiumit “Loro Boriçi”. Vullnetarët do të ndihmojnë që të gjitha grupet e synuara të hyjnë dhe të dalin nga stadiumi dhe zonat e tij pa probleme dhe në kohë”, shkruhet në faqjen zyrtare të Vllaznisë. /Sport Ekspres/