“Trajneri është i çmendur, do grupet e Champions League”! Kapiteni i Dudelange nuk e di se më kë luajti Tirana: I analizuam mirë, kishin përballë Beshiktashin

Tirana do të përballet kundër Dudelanges në transfertë për turin e parë të Champions League. Bardheblutë do të kërkojnë marrjen e fitores në mënyrë që të jenë më të qetë për ndeshjen e kthimit. Ndërkohë kapiteni i kampionëve të Luksemburgut, Mehdi Kirch, është shprehur se trajneri jo vetëm që kërkon kalimin e Tiranës, por njëkohësisht do grupet e Champions League. Analiza e bardhebluve?

Aq shumë të përqendruar kanë qenë lojtarët e Dudelanges sa për një moment kanë harruar edhe kundërshtarin që kanë pasur kampionët e Superiores. Kirch shprehet se i kanë parë me detaje lojtarët e Tiranës në ndeshjen kundër Beshiktashit, kur në fakt u luajt me Fenerbacen.

“Për mua nuk ka asnjë rival të preferuar. Të gjitha ndeshjet europiane janë të komplikuara dhe Tirana është një ekip i madh. I favorizuar do të jetë ai që është më i gatshëm fizikisht dhe taktikisht për ta fituar betejën. Nuk e dimë se si do ta trajtojnë këtë ndeshje, nëse do të presin të luajnë gjithçka në shtëpi apo jo… Në çdo rast, do të jetë një ndeshje e vërtetë provë për të parë sesa vlejmë.

Trajneri im është i çmendur, është aq ambicioz sa dëshiron të shkojë në grupet e Champions League. Do të mundohemi të shkojmë sa më larg, por fillimisht duhet të luajmë një ndeshje shumë të mirë nesër.

Sapo e kuptuam se kë kishim përballë, shikuam disa video. Ne kemi parë se Tirana kishte luajtur veçanërisht kundër Beshiktashit në kampin përgatitor. Secili nga ana jonë, përveç përgatitjes në grup, shikojmë edhe lojtarët me të cilët do të përballemi drejtpërdrejt”, tha kapiteni Mehdi Kirch. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *