Orges Shehi ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Trajneri i bardhebluve ka folur për ecurinë që pritet të ketë ekipi në Champions League, teksa në turin e parë do të përballet ndaj Dudelange. Gjithashtu është sqaruar edhe çështja e Taulant Seferit, ku sipas lajmeve të fundit ishin ofruar 800 mijë euro për kartonin e tij nga Manisa në Turqi.
“Ne kemi zhvilluar 3 ndeshje, pavarësisht se në ndeshjen e parë, hodhëm në fushë të gjithë lojtarët për të qenë gati. Në qendër të mbrojtjes kemi luajtur me Behiratche dhe Najdovski, ndërsa pozicionin e Tolit e bën Aleksi. Në Champions nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë, e dimë këtë nga eksperienca. Kemi përballë një skuadër të fortë. Jemi munduar të marrim informacionin e duhur.
Jam shumë i kënaqur, që do të luajmë në “Air Albania” ndeshjen e kthimit. Është një fushë, që e kemi si shtëpinë tonë. Ndihemi shumë mirë dhe aty japim maksimumin. Përgjegjësia është e pranishme dhe ne nuk i shmangemi. Është gjë e mirë, që tifozët do të vijnë atje, për të na mbështetur.
Situata e Seferit, është normale. Për sulmuesin dihet që momenti është shumë i mirë dhe të gjithë duan të ta marrin. Unë kam biseduar me Seferin dhe ai më ka thënë me sinqeritet që ende nuk ka asgjë konkrete. Jam i sigurt, që pas Champions League, ndonjë ofertë për Seferin do të ketë. Nëse largohet do isha i mërzitur për veten, por i lumtur për të”, tha Shehi. /Sport Ekspres/