Pjesëmarrja në Europë është mënyra më e mirë që klubet shqiptarë të pasurojnë arkat e tyre. Kompeticionet e Europës shërbejnë si një minierë ari për Tiranën, e cila edhe në skenarin më të kqe do të ketë mundësinë të përfitojë mbi 800 mijë euro.
Kështu, një shumë prej 100 mijë eurosh do të përfundojnë në llogarinë e bardhebluve vetëm për faktin se janë pjesëmarrës në turin e parë të Ligës së Kampionëve. Në rast eliminimi, edhe 100 mijë euro të tjera do të arkëtohen për kampionët e Shqipërisë si pjesëmarrës në turin e dytë të Ligës së Europës. Madje edhe në rast se rrugëtimi europian i Tiranës përfundon këtu, bardheblutë do të përfitojnë 350 mijë euro bonus eliminimi, si dhe 260 mijë euro bonus për mospjesëmarrjen në grupet e njërit prej kompeticioneve të UEFA-s.
Pra në total, Tirana grumbullon 810 mijë euro në skenarin e saj më të keq. Por shumë mund të jetë edhe më e lartë, duke qenë se Tirana ka shanset e saj për kalimin e tureve si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në Ligën e Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/