Pasi i prishi festën e inaugurimit të stadiumit Kukësit, Shpëtim Duro kishte një tjetër mision, Tirana nuk duhej të festonte para syve të tij. Sërish kishte sukses pasi Laci arriti të fitonte me bardheblutë në shifrat 1-0. Super goli i Guindo në minutën e 13 vendosi për të sjellë tre pikët te kurbinasit në këtë ndeshje të veçantë, ku stadiumi kishte një shifër të kënaqshme të tifozëve.
Nga krahu tjetër shumë emocione kishte edhe në derbin mes Partizanit dhe Dinamos që përfundoi 3-1. Të kuqtë dukej se do ta kishin të lehtë pasi shënuan 2 gola në vetëm 4 minuta me atë të Junior dhe Tedi Cara. Kur pritej rritja e diferencave, një prekje e topit me dorë te Matondos në të 36, solli ndërhyrjen e VAR.
Lojtari u ndëshkua me karton të verdhë për herë të dytë, duke lënë fushën e lojës dhe braktisur Partizanin, që mbeti me 10 lojtarë. Ndërkohë Ibrahimi realizoi qetësisht nga 11-metrat. Pjesa e dytë foli e gjitha për Dinamon, me Partizanin që u mbrojt në 30 metrat e fundit. Megjithatë ekipi i Vanolit ishte tërësisht i paqartë dhe nuk dinte se çfarë të bënte me topin në sulm. Për 45 minuta të tëra ishte Partizani i mbyllur në mbrojtje dhe në minutat shtesë, pas një gabimi të Lilajt, Tedi Cara u gjend përballë Simonit dhe e mposhti me një parabël. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Mehmeti (Partizani): “Ishin dy momente kyç të ndeshjes. Pas dy të verdhave të Masangas ishte një moment kur Skuka duhet ta kishte zgjidhur më mirë dhe të më jepte mua më tepër qetësi, sepse këmi një kalendar të ngjeshur. S’jam marrë asnjëherë me arbitrat, por është një lojtar që nuk është ndëshkuar asnjëherë. Sa herë ndërhyn shkon gjithnjë te topi. Të marrësh një karton të verdhë që në minutë të 5-të… Më vjen keq, sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm. Nuk duhet të marrë karton të verdhë lojtari kur nuk ka bërë faull. I falenderoj lojtarët, sepse kanë treguar burrëri. Duhet të kuptojmë që Xhunior ka qenë gjithmonë prezent. Është një lojtar që vrapon shumë dhe krijon shumë hapësira. Edhe në fazën defensive ndihmon shumë. Më vjen mirë për Carën, që e kupton se duhet të japë më shumë nga vetja. I flas gjithmonë, kam besim te ai. Duhet të arrijë këtu ku ka arritur sot.
Zërat për akordin e Partizanit me Brdaricit? Unë jam gjatë gjithë kohës i përqendruar te puna. Për kaq sa unë po bëj te Partizani, kam dhënë gjithcka. E kam marrë në një situatë të vështirë dhe nuk mendohej që skuadra do shkonte në lu.ftën për Europën. Është meritë e gjithë stafit dhe lojtarëve që kemi mbërritur deri këtu, por s’kemi mbaruar akoma. Për sa i përket zërave nuk e kam problem fare, sepse respektoj klubin dhe lojtarët. Nga ajo çfarë kanë bërë trajnerët e huaj, diferencën e kanë bërë vetëm te rrogat. Duhet të kemi më tepër besim te trajnerët shqiptarë. Kur të vijnë të huajt, duhet të bëjnë diferencën”.
Vanoli: “Për të fituar një ndeshje të duhet kualitet, ne nuk e shfaqim. Vetëm deri afër zonës rivale dhe e kthejmë sërish topin mbrapa, pasi nuk dimë se çfarë të bëjmë me topin. Do të provojmë deri në fund, por kemi limitet tona. Rezultatet e dobëta te Dinamo? Në futboll këto janë situata normale, e rëndësishme është që të kemi ndërgjegjjen e pastër. Edhe Juventusi ra në Serinë B dhe u rikthyer për të fituar titull. Jam i qetë pasi projekti ynë është afatgjatë. Nuk ka rëndësi se jemi në Superiore apo Kategorinë e Parë, por mentaliteti që do të kemi ne. Nëse lojtarët nuk do të më ndiqnin, atëherë unë do të ikja vetë dhe do t’i thoja presidentit”.
Orges Shehi: “Sot kemi luajtur mirë, kemi qenë shumë herë në zonën kundërshtare. Rivali erdhi vetëm njëherë në portë dhe na shënoi. Më pas vetëm nga goditjet standarte. Sot nuk kemi marrë atë që kemi merituar. Kjo puna e festës së titullit sikur e ka ulur pak përqendrimin. Po mendojmë vetëm për festën dhe kemi ulur pak l.uftën, duhet t’i vendosim gishtin kokën. Gjithashtu edhe shumë ekipe po kërkojnë lojtarët tonë, janë pak të çorientuar.
Shpëtim Duro: “Nëse do vazhdonim si dikur kur erdhëm nga Europa, atëherë, me bindje se do të ishim pretendentët kryesorë për titull kampion. Laci dhe Tirana nuk kanë diferenca, për mua ka vetëm një lojtar më tepër, Taulant Seferin. Ne duhet të vuajmë gjithmonë deri n fund, por me rëndësi që fituam. Nëse ky ekip nuk prishet, do të bëjë mirë në Europë dhe kampionatin tjetër. Tirana nuk duhej ta festonte titullin sot para nesh, Laci duhej të ishte shumë më afër me pikë me këtë skuadër”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/