Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një aktivitet me fëmijët e shkollës “Jeronim De Rada” në Tiranë me qëllim promovimin e futbollit dhe sensibilizimin e sa më shumë vajzave dhe djemve për t’u marrë me aktivitet sportiv. Tashmë që edhe masat kufizuese të pandemisë janë lehtësuar ndjeshëm, Sektori i Futbollit të fëmijëve në FSHF ka rinisur aktivitetet në terren veçanërisht me shkollat, me qëllim masivizimin e futbollit dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve për t’u angazhuar me sportin në kuadër edhe të projektit “Grassroots”.
Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluan në shkollën kryeqytetase ishin figura të futbollit, përfaqësues të FSHF-së dhe disa trajnerë moshash, të cilët drejtuan seancën stërvitore, ndërkohë që i gjithë aktiviteti u ndoq nga shumë fëmijë të shkollës. FSHF mbështet trajnerët dhe ekipet e shkollave financiarisht, por edhe me bazë materiale, duke i ndihmuar në punën e tyre të përditshme.
Në nisje të aktivitetit ish-futbollisti i shquar, Sulejman Demollari, foli me fëmijët dhe u shpjegoi atyre rëndësinë e aktivitetit sportiv, por duke i kërkuar që të mos lënë jashtë vëmendjes edhe mësimet. “Trupi i shëndoshë në mendje të shëndoshë. Po të merreni edhe me sport do të jenë akoma dhe më aktivë fizikisht, por edhe mendërisht, duke qenë madje edhe më mirë më mësime. Prioriteti dhe qëllimi primari i FSHF-së është që të afrojë sa më shumë fëmijë me futbollin dhe ju të merreni sa më shumë me sport, pa lënë mënjanë mësimet”, – tha Demollari.
Në këtë aktivitet morën pjesë djem të grup-moshës 9-11 vjeç dhe vajza të grup-moshës 10-12 vjeç. Trajnerja Zamira Tabaku vlerësoi punën që po bën FSHF për masivizimin e futbollit dhe mbështetjen që po u jep shkollave.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të nxisim sa më shumë fëmijët të ushtrojnë futbolli. Baza është pikërisht në shkolla, nëse fëmijët stërviten që në moshë të vogël ka më shumë shanse për të qenë futbollistë në të ardhmen. Futbolli të mëson me disiplinën, është edukues dhe i heq fëmijët nga veset e rrugëve. Ne shpresojmë që të kemi sa më shumë fëmijë që të ushtrojnë futbollin në të ardhmen. FSHF i ka dhënë shumë prioritet futbollit të fëmijëve e veçanërisht futbollit të femrave. Unë si trajnere e re ndihem e lumtur që kemi një mbështetje kaq të madhe nga Federata për të mbështetur futbollin e fëmijëve”, – tha Tabaku.
Ndërsa, trajneri tjetër Gëzim Gega theksoi nevojën për t’u fokusuar te nxitja e futbollit nëpër shkollat e vendit.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti. Falënderojmë shumë FSHF-në që po punon shumë me fëmijët, që sigurisht rrugëtimin në botën e futbollit e nisin pikërisht nga shkollat për të vazhduar më pas tek ekipet zinxhir të klubeve dhe akademive të ndryshme”, – tha Gega, teksa trajneri Olti Kërrnaja shprehu dëshirën që në të ardhmen masivizimi të jtë edhe më i madh.
“Ky aktivitet i organizuar nga FSHF është mjaft i vlefshëm dhe synon masivizimin e futbollit të fëmijëve duke nisur nga shkollat. Urojmë shumë që të afrojmë sa më shumë djem dhe vajza me futbollin falë edhe mbështetjes që po jep FSHF masivizimin e këtij sporti në të gjitha shkollat e vendit”, – theksoi Kërrnaja. Aktivitet të ngjashme do të vazhdojnë në të gjitha shkollat e vendit për mbështetjen e futbollit të fëmijëve.