Finalja e UEFA Europa Conference League që do të zhvillohet në Tiranë është një nga ngjarjet më të mëdha që do të presë Shqipëria më 25 maj. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” pritet ta vendosë vendin tonë në qendër të mediave ndërkombëtare përgjatë këtij muaji.
Zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Fatjon Kodra, ka qenë i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi” në Euronews Albania, ku ka folur për rëndësinë e këtij aktiviteti madhor e historik për Shqipërinë, si arriti Federata Shqiptare e Futbollit të bindë UEFA-n për ta organizuar këtë finale në Shqipëri, çfarë impakti do të sjellë kjo ndeshje në ekonominë e vendit, ndryshimet e stadiumit, siguria, biletat, si dhe emrat e mëdhenj që do të vizitojnë Tiranën në këtë ditë.
Rëndsia e një aktiviteti të tillë në Tiranë – Është një ngjarje që kalon çdo lloj ngjarje tjetër që mund të ketë pritur Shqipëria në gjithë historinë e saj, qoftë politike, qoftë samite apo ngjarje kulturore. Është në ngjarje e përmasave ndërkombëtare ku janë të angazhuara institucione shumë të rëndësishme siç është UEFA dhe ku pritet të vijnë klube me emër dhe të zhvillojnë një finale në Tiranë. Ne kemi gati dy vite që punojmë në Shqipëri për organizimin e kësaj finaleje. Impakti do të jetë shumë i madh për Shqipërinë, pasi nuk fiton thjesht futbolli, por fiton Shqipëria, fiton imazhi.
Impakti financiar? – Do të jetë i konsiderueshëm. Me një përllogaritje që është bërë, pritet të ketë një impakt rreth 140 milionë euro në total përgjatë gjithë atyre ditëve. Ne kemi nisur punën në terren që prej shtatorit të kaluar dhe thuajse çdo muaj kanë ardhur delegacione të UEFA-s që kanë inspektuar çdo gjë, që nga aeroporti, stadiumet, mënyra si do të lëvizin tifozët, ku do të grumbullohen tifozët, çështjet e transmetimit televiziv, etj. Është bërë dhe po bëhet një punë shumë e madhe, ku tani jemi në momentin final ku gjërat normalisht bëhen më voluminoze dhe më konkrete.
Ndryshimet në stadium – Do të ketë ndryshime. UEFA është shumë e kënaqur me stadiumin, pasi përveç se është interesant dhe i bukur, është edhe i thjeshtë për ta. UEFA i kushton shumë rëndësi broadcaster-ave dhe do të përshtatet në mënyrë të tillë që të ketë disa studio që të kenë në sfond fushën. Një pjesë e tribunës jugore do të hiqen stolat dhe do të improvizohet një studio televizive, po ashtu edhe në krahun tjetër. Do të ndryshojë edhe tribuna e medias, ku kapaciteti aktual është 75 vende dhe do të shtohet në këtë finale, pasi numri i medias do të jetë shumë i lartë. Tribuna kryesore është e rezervuar për të ftuarit e UEFA-s dh vipat. Do të vihen edhe dy ekrane të mëdha. UEFA do të marrë me qira edhe Pallatin e Kongreseve që do të shërbejë si qendër logjistike e UEFA-s, për akreditimin, për pritjen e të ftuarve, për cateringun, vullnetarët etj.
Programi i vullnetarëve – Në bashkëpunim me UEFA-n, kemi hapur procesin e aplikimit për vullnetarët për këtë finale që në muajin janar. Do të ketë të paktën 400 vullnetarë që do të angazhohen në këtë finale, numri i aplikimeve ka qenë mbi 2700 dhe çfarë është më interesante, ka pasur edhe shumë aplikime nga jashtë. Ne shpresojmë që kjo të jetë një nisje e mbarë dhe për të ardhmen, pasi nëse e marrim si shembull, edhe në ndeshje të Kombëtares ka nevojë për kontribut shtesë dhe vullnetarët janë një ndihmë e madhe.
Si e fitoi FSHF-ja të drejtën për të organizuar finalen? – Stadiumi ishte pikënisja. Para 8 vitesh nuk kishim një stadium që të përmbushte kriteret e UEFA-s dhe rrezikonte t’i luante ndeshjet e kombëtares jashtë. Me ndërtimin e stadiumit, që është i kategorisë së 4-t të UEFA-s, ku mund të luhen ndeshje të çdo niveli ndërkombëtar, kemi bërë menjëherë aplikimin, që është një punë voluminoze, ku UEFA duhet të bindej përmes fakteve dhe dokumentave që Shqipëria mund të përballojë një aktivitet të këtij niveli, qoftë në aspektin aeroportual, hotelerisë, stadiumit, eksperiencave që UEFA ka pasur më parë me FSHF-në, që është shumë e rëndësishme. Një nga arsyet kryesore ka qenë edhe se FSHF-ja “në sytë” e UEFA-s është një partner i besueshëm. Ka pasur edhe në të kaluarën aktivitete, kemi bërë ndeshje ndërkombëtare ku janë organizuar shumë mirë, duke bindur kështu këtë institucion futbolli.
Siguria ditën e ndeshjes – Ne jemi përgatitur që të kemi një fluks shumë të lartë njerëzish atë ditë në Tiranë dhe jo vetëm, pasi mbërrijnë tifozë edhe më herët. Federata ka bërë disa trajnime në bashkëpunim me UEFA-n, sepse në këtë operacion nuk është e përfshirë thjesht FSHF, por edhe qeveria, bashkia, policia e shtetit, por edhe kompani të sigurisë private. Në këtë finale pritet të angazhohen rreth 600 steëardë, përpos policisë së shtetit. Është bërë një plan nga UEFA se si do të vijnë tifozët nga aeroporti dhe cilat rrugë duhet të ndjekin për të ardhur deri në Tiranë. Cilat janë pikat e takimit për tifozët e skuadrave, ku një pikë do të jetë në pedonale dhe pika tjetër te liqeni. Është bërë një plan i detajuar që mos të ketë përplasje dhe siguria do të jetë në nivele maksimale. Vazhdojnë trajnimet, nuk kemi mbaruar ende, por do të kemi sërish në ditët në vazhdim.
Biletat për këtë finale – Përveç pjesës së rezervuar për tifozët, në shitje të përgjithshme UEFA ka nxjerrë diku te 7000-8000 bileta që mund të blihen nga kushdo, por duke qenë se ka shumë kërkesa, e vetmja mënyrë është të regjistroheni në faqen e UEFA-s, uefa.tickets. Procesi i shitjes nis në ditët e para të majit dhe nëse e fiton, bileta do të merret vetëm elektronikisht. Deri në katër bileta mund të marrë një tifoz, jo më shumë. Edhe çmimet nuk do të jenë shumë të larta.
Emrat e mëdhenj që pritet të vijnë në Tiranë – Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin pritet të jetë në Tiranë, por edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, përpos emrave të tjerë të mëdhenj të njohur të futbollit.