Cilat skuadra arrijnë të qëndrojnë më gjatë në zonën kundërshtare gjatë një ndeshjeje të kampionatit “Abissnet Superiore”? Sigurisht që nuk është një tregues që vendos rezultatin e ndeshjeve, por na bën të kuptojmë se sa sulmues është mënyra e lojës së skuadrave.
Të kesh lojtarë që depërtojnë pas krahëve të mbrojtjes në zonë dhe shkojnë për të goditur portën brenda zonën së rreptësisë, apo sulmues që luajnë vazhdimisht në zonën kundërshtare janë sigurisht zgjidhje për të sulmuar më shumë se kundërshtarët. Dhe kjo renditje e veçantë sjell disa surpriza nëse krahasohet me renditjen e përgjithshme të kampionatit.
Prekjet e topit në zonën kundërshtare janë një mënyrë shumë e thjeshtë për të kuptuar aspektin sulmues të një skuadre, domethënë sa lojtarë sjell skuadra në zonën kundërshtare gjatë aksioneve sulmuese herë pas herë gjatë një ndeshjeje. Dhe këtu, me përjashtim të Dinamos, ndarja e renditjes është pak a shumë e njëjtë me renditjen e prekjeve të topit në zonën kundërshtare. Kjo për shkak se skuadrat që luajnë për të mos rënë nga kategoria, janë të prirura të luajnë më shpesh në kundërsulm (dhe për këtë arsye mbërrijnë më pak në zonën e kundërshtarit) sesa një ekip që mban më shumë topin dhe shpesh përpiqet të sjellë shumë lojtarë në zonën kundërshtare.