Portieri i Eintracht Frankfurt, Kevin Trapp, përjetoi një shije të ëmbël hakmarrjeje në Camp Nou pas fitores në Europa League (3-2) kundër Barcelonës. Portieri gjerman hezitonte të kujtonte Camp Nou-n, sepse i shndërrohej në makth teksa pësoi gjashtë gola në atë përmbysje të çmendur të katalanasve në kohën kur portieri ishte pjesë e PSG, në ndeshjen e Champions League.
Tashmë stadiumi i Barcelonës i solli lumturi gardianit, i cili me Eintracht-in arriti në gjysmëfinale të Europa League. “Nuk kam fjalë për të thënë se si ndihem, si ndihemi si skuadër. Ne e realizuam planin tonë në perfeksion. U ndjemë si në Frankfurt, ishte e mrekullueshme, është e mrekullueshme të ndihesh në këtë mënyrë. Kështu që pas ndeshjes ne qëndruam në fushë, të rrimë me tifozët, të cilët bënë përpjekje për të qenë me ne”, tha Trapp, i cili nuk u besonte syve kur pa 30 mijë tifozë të Eintracht në tribuna.
“Krenari e madhe, shumë gëzim. Mbështetja e tyre ishte e mahnitshme, vetëm e bardha shihej gjithandej. Ishte shumë emocionuese. Unë luaj prej vitesh dhe pothuajse kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Dhe para se të më pyesni, po, ajo që kam përjetuar këtu në 2017 tani është harruar”, u tha Trapp gazetarëve. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/