Nga Klaudio Ndreca
Çfarë po ndodh te Dinamo? Kjo është pyetja që po shtrohet nga të gjithë në opinionin sportiv shqiptar. Pavarësisht investimeve të shumta, kryeqytetasit kanë prekur fundin dhe nga misioni i titullit kampion janë thuajse zyrtarisht në Kategorinë e Parë.
Për të kuptuar situatën te Dinamo dhe për t’iu përgjigjur kritikave rreth përgatitjes së dobët atletike, për “Sport Ekspres” ka folur vetë i zoti i punës, Daniele Nervi, që e nisi sezonin te kryeqytetasit në Superiore si pjesë e stafit të Bledi Shkëmbit.
Nervi është shprehur se Dinamos i mungonin lojtarë me karakteristika shpërthyese dhe shpejtësie, ndërsa këto të dhëna ia kishte dërguar edhe më herët Shkëmbit, që ishte në dijeni. Ndërkohë Bledi Shkëmbi zgjodhi që të njoftonte përgatitësin atletik se ishte larguar nga Dinamo, vetëm nëpërmjet një mesazhi në Whats App, pa asnjë shpjegim tjetër.
Ju keni punuar më parë me ekipe të tjera në Superiore. Si ishte ambienti sportiv te Dinamo?
Klima ka qenë gjithmonë shumë e mirë, ka pasur shumë optimizëm dhe klubi nuk na ka lënë kurrë të mungojë diçka. Të gjitha pikat krijonin idenë se do të kishim një sezon të mirë dhe që do të na jepte shumë kënaqësi, por në vend të kësaj…
Në këndvështrimin tuaj të përgjithshëm, çfarë nuk shkon në këtë klub?
Të kuptosh shkaqet e vërteta sigurisht që nuk është e lehtë, ndoshta ishin një sërë problemesh që çuan në këtë vit negativ. Mund të flas vetëm për periudhën që kam qëndruar, nga korriku deri në dhjetor 2021, për pjesën tjetër nuk mund të them asgjë.
Është folur shumë për formën fizike të lojtarëve të Dinamos. Kishte një problem real në këtë pjesë?
Le të fillojmë duke thënë se Dinamo ishte një ekip krejtësisht i ri. Nuk do të hyj në meritat e zgjedhjes së lojtarëve sepse nuk është puna ime. Mund t’ju them vetëm se përgatitja ishte shumë e saktë në detaje dhe trajneri Shkembi ishte padyshim i vetëdijshëm për gjithçka dhe jepte gjithmonë OK, duke qenë kreu i stafit. Lojtarët janë monitoruar gjithmonë me GPS tim personal, si në stërvitje ashtu edhe në të gjitha ndeshjet.
Dua të kujtoj se kam qenë i pari që solla sistemin GPS në Shqipëri në vitin 2014 kur isha te Vllaznia me trajnerin Baldo Raineri. I kam përdorur edhe në dy aventurat e mia të tjera në tokën shqiptare (Kukësi dhe Apolonia). Kur flasim për Apoloninë, në sezonin 2020/2021, sipas të gjithë ekspertëve, ishte skuadra me gjendjen më të mirë fizike, në pjesën e sezonit të menaxhuar nga unë dhe trajneri Giovanni Colella (gusht-dhjetor 2020).
Kështu që mund të them se kemi punuar me shumë profesionalizëm dhe kompetencë. Atëherë duhet të merren parasysh gjithmonë karakteristikat fizike të secilit lojtar, i ashtuquajturi “motor” i çdo futbollisti. Nëse një lojtar ka një motor Fiat 500, nuk mund të presësh që ai të ketë përshpejtim si një Ferrari. Është një çështje e karakteristikave fizike individuale.
Lista e FK Dinamo nuk kishte shumë lojtarë me karakteristika shpejtësie dhe shpërthyese. Këto gjëra ishin evidente nga të dhënat GPS, të cilat i dërgoja çdo javë stafit teknik së bashku me statistikat e krahasimit për rolet. Gjithçka ishte e dokumentuar dhe e njohur nga stafi.
Si ka qenë përgatitja fizike e lojtarëve të Dinamos në krahasim me skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore?
Sapo shpjegova se cila ishte ideja jonë për përgatitjen fizike dhe kontrollin e të dhënave. Nuk jam në dijeni se si kanë funksionuar skuadrat e tjera, kështu që nuk mund të them asgjë për këtë, më falni.
A kanë dhënë lojtarët maksimumin e tyre në stërvitje dhe në ndeshje, apo nuk kanë treguar potencialin e tyre të plotë?
Mund të them vetëm se në stërvitje lojtarët dhanë angazhimin e tyre maksimal, për këtë jam i sinqertë. Sigurisht që mund të ketë ndonjë element, me karakteristika të mira fizike dhe teknike, që mund të bënte shumë më tepër. Kjo është e qartë, ndryshe Dinamo nuk do të ishte në këto kushte.
Si do ta kujtoje këtë eksperiencë të mbyllur me këtë skuadër, çfarë të la shije të keqe?
Dua të them vetëm disa fjalë për të sqaruar pozicionin tim dhe për të ruajtur imazhin tim profesional. Kam 34 vite që punoj në futboll dhe sinqerisht nuk kam kaluar një situatë të ngjashme më parë. Më ka thënë se nuk do të jem më te Dinamo, trajneri Shkembi me një mesazh në Whats App. Nuk më dha asnjë arsye, edhe kur unë e pyeta. Askush nga klubi nuk më tha gjë edhe pse ata ishin shumë korrekt me mua në të gjitha aspektet e tjera, në lidhjen e kontratës.
Në janar klubi bëri afrime të reja dhe sigurisht që situata nuk u përmirësua, përkundrazi, rezultatet janë aty për t’i parë të gjithë. Pra, padyshim që të metat ishin diku tjetër. Gjithmonë jam përpjekur të punoj me profesionalizëm, seriozitet, kudo kam shkuar. Kam lënë kujtim të mirë si trajner dhe mbi të gjitha si njeri. Drejtësia, edukimi dhe respekti janë virtytet e mia. Në fund të fundit këto janë gjërat që kanë rëndësi në jetë, të paktën për mua. /Sport Ekspres/