Në një Skënderbe që dukej i dorëzuar dhe praktikisht i rënë në Kategorinë e Parë, shpresat filluan të ndizeshin sadopak me ardhjen e Skënder Gegës. Një emër që befasoi jo pak opinionin sportiv dhe që ndryshoi ujërat pasi bëhej fjalë për trajnerin kampion që bëhej pjesë e korçarëve, Skënderbeu nuk ishte dorëzuar akoma.
Ndeshja debutuese i përkiste asaj me Laçin në transfertë. Kurbinasit po kërkonin titullin kampion dhe barazimi pa gola i marrë në debutimin e Gegës ishte më shumë sesa oksigjen për ekipin. Në katër ndeshjet e zhvilluara me këtë trajner, Skënderbeu numëron 3 pikë të marra teksa ka luajtur ndaj Laçit dhe Teutës në transfertë, ndërsa në shtëpi ka pritur dy rivalët që në nisje të sezonit kanë kërkuar titullin kampion si Tirana dhe Kukësi.
E sikur të mos mjaftonte kjo gjendje e skuadrës, Gega duhej të bënte pa disa lojtarë kryesorë që janë dëmtuar dhe ndaj Tiranës, ekipit që po i dominon të gjithë, janë thirrur disa lojtarë nga grupmoshat. Por fenomeni i çuditshëm i këtyre pesë javëve të fundit është se Tirana e Shehit ka prishur Superioren dhe llogaritë e saj me diferencën e madhe të pikëve.
Duke qenë se në nisje të kampionatit ishin praktikisht gjashtë ekipe që kërkonin titullin kampion, duke parë shkëputjen e Tiranës së Shehit, janë rrëzuar psikologjikisht të gjitha këto skuadra, duke nisur që nga Laçi. Madje rënia është aq e madhe sa edhe një biletë për në Europë nuk po i motivon ekipet si Kukësi, Partizani dhe Vllaznia, që nuk i kanë marrë më të mirën ndeshjeve të fundit dhe po gabojnë njëra pas tjetrës.
“Sport Ekspres” sjell renditjen e ekipeve të Superiores ku në 5 ndeshjet e fundit është Kastrioti që mban kampion me 13 pikë, madje edhe më shumë se Tirana që vjen në vendin e dytë, me 11 pikë. Në vendin e tretë gjendet Egnatia me 8 pikë duke dëshmuar rastin e veçantë. Sigurisht që në llogaritë e Skënder Gegës ishte që një prej Kastriotit dhe Egnatias të lihej poshtë vetes, përfshirë edhe Dinamon, por me formën që kanë dy ekipet e sipërpërmendura nëse kampionati do të vazhdonte edhe një fazë tjetër, me siguri mund të kërkonin Europën, në mos të ishin rivale të denja për Tiranën. /Sport Ekspres/
Vendi i parë Kastrioti 13 pikë
Vendi i dytë Tirana 11 pikë
Vendi i tretë Egnatia 8 pikë
Vendi i tretë Partizani 8 pikë
Vendi i katërt Teuta 7 pikë
Vendi i katërt Kukësi 7 pikë
Vendi i pestë Laçi 3 pikë
Vendi i pestë Skënderbeu 3 pikë
Vendi i pestë Dinamo 3 pikë
Vendi i gjashtë Vllaznia 2 pikë