Në fillimi i këtij edicioni futbollistik në Shqipëri parashikohej një garë e fortë për titullin kampion, ndoshta edhe më e ndezur se ajo e sezonit të shkuar. Por koha ka eliminuar një e nga një pretendentët, teksa tashmë është Tirana që vazhdon e pashqetësuar rrugën drejt trofeut. Klubet kanë dalë jashtë objektivave dhe tashmë në pikëpyetje është vendosur edhe pjesëmarrja në Europë.
Por, me garën e ashpër që duket në kampionat, Kupa e Shqipërisë shfaqet në horizont si “varka e shpëtimit” për 4 klubet gjysmëfinaliste. Ky kompeticion është rruga më e shkurtër për të marrë në duar një biletë europiane, që në fund do të shërbente për të çuar në vend nderin në fund të këtij sezoni. Të mërkurën do të vendoset çifti finalist, teksa Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Partizanin pas barazimit 0-0, ndërsa Teuta udhëton drejt Laçit për të përmbysur atë humbje 1-2. Gjithçka mbetet e hapur deri të mërkurën, me të katërt ekipet që kanë shansin të mbyllin sezonin me një trofe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/