“Presioni në Shqipëri ndihet më tepër“, Plori tregon problemin e Vllaznisë: Rezultati nuk merret me sportivitet si në shtetet e tjera

Kanë përfunduar dy ndeshjet e pasdites së sotme të vlefshme për janën e 28 të “Abissnet Superiores“. Partizani ka përmbysur Teutën, duke e mposhtur me rezultatin 2-1. Kampionët në fuqi të kampionatit shqiptar gjetën të parët golin me anë të Ivanoviçit, por më pas Skuka dhe Bitri kthejnë gjithçka përmbys.

Të kuqtë shohin gjithnjë e më pranë Europën, teksa tashmë vetëm 4 pikë i ndajnë nga Kukësi i vendit të tretë. Ndërkohë Tetua zhytet në vorbullën e “play out“-it, pasi aktualisht numëron vetëm 32 pikë të grumbulluara, 1 më shumë se Kastrioti dhe Egnatia.

Në krahun tjetër Vllaznia dhe Laçi janë ndarë në paqe nga “Loro Boriçi“. Sfida mes tyre është mbyllur në barazim 0-0, me Shpëtim Duron kthehet të marrë një pikë pas zyrtarizimit në pankinën e kurbinasve. Pas përfundimit të takimeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Plori (Vllaznia): “Në ndeshje të tilla kur të jepen ato raste, po nuk i shënove është e vështirë të fitohet ndeshja. E tillë ishte situata edhe sot. Performanca nuk ka qenë në nivelin e duhur, flas për kampionatin, pasi në Kupë ka qenë një histori tjetër. Presioni i rezultatit në Shqipëri ndihet më tepër. Nuk merret me aq sportivitet sa në shtetet e tjera. Unë jam i mendimit se siç na ndodhi me Kastriotin, në minutat e fundit ra pak kapaciteti i lojtarëve“.

Duro (Laçi): “Si fjalë të parë them se jam i kënaqur me paraqitjen e sotme. Ata që luajtën e justifikuan veten. Kemi kontigjent të mirë futbollistësh. Jam i shqetësuar, sepse kemi ndeshje të vështirë të mërkurën. Sot barazimi ishte shumë, shumë me vlera. Ndaj një kundërshtari direkt do ishte ideale fitorja, ishte mundësia. Nuk kam çfarë të ndryshoj, sepse sot pashë një skuadër që veproi ashtu siç kishim punuar në këto 2-3 ditë. Vllaznia është një skuadër me shumë potencial, pavarësisht vendit ku ndodhet. Si u zbuta për rikthimin te Laçi? Nuk ishte zbutje. Arritëm rezultate historike në Europë. Ndërtuam skuadrën gjatë verës. Pati një problem, pasi prishëm bashkëpunimin. Është skuadra e ndërtuar prej meje gjatë verës, kjo ishte arsyeja që unë u riktheva në këto momente. Për mua është pozitive, sepse rikthimi është vlerësim nga drejtuesit, të cilët pasi provuan 2 trajnerë më zgjodhën përsëri mua. “./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *