Turneu UEFA Development U-16 / Shqipëria përmbys Irlandën e Veriut, triumfon në ndeshjen e parë

Shqipëria U-16 e ka nisur në mënyrën më të mirë turneun “UEFA Development U-16”, pasi ka mundur Irlandë e Veriut U-16 në ndeshjen hapëse me rezultatin 2-1. Një fitore e merituar për ekipin e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, që përveç fitores bëri edhe një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e zhvilluar në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Kombëtarja shqiptare U-16 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Amarildo Dervishaj, Albi Koleci, Adi Kurti, Egert Selmani, Aljon Damini, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Glenis Belloj, John Jaku, Ersi Bode, Flavio Sulejmani.

Kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen duke krijuar volum loje dhe raste në portën e Irlandës së Veriut, por nuk arrijnë të zhbllokojnë rezultatin. Në një nga zbritjet e rralla miqtë arrijnë të kaojnë në avantazh në minutën e 15-të me O’Haran, që përfiton nga një pakujdesi e mbrojtjes dhe arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

Shqipëria nuk dekurajohet, por reagon mirë dhe vë nën presion të vazhdueshëm irlandezo-veriorët teksa Sulejmani ka një rast mjaft të mirë, por ia mohon golin portieri kundërshtar. Në minutën e 45-të Kombëtarja shqiptare arrin të barazojë shifrat me anë të Jordi Jakut, që merr një pasim pas krahëve të mbrojtjes dhe me një gjuajtje të saktë arrin të shënojë golin e parë për kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë Shqipëria U-16 vazhdon të luajë më mirë dhe të shfaqet rrezikshëm në portën e Irlandës së Veriut. Trajneri Bulku bën edhe disa zëvendësime që arrijnë t’i japin më shumë gjallëri lojës së kuqezinjve, derisa në minutën e 89-të Flavio Sulejmani arrin të realizojë një gol mjaft të bukur që i jep fitoren 2-1 Shqipërisë.

Kjo ishte ndeshja e parë e turneut “UEFA Development U-16” për meshkuj, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 9 prill deri më 14 prill. Një kompeticion mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e futbollistëve të rinj, të cilën kanë mundësi të tregojnë vlerat dhe potencialin e tyre përballë rivalëve moshatarë nga vende të ndryshme të botës.

Përveç Shqipërisë U-16 në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Irlandës së Veriut, Perusë dhe Luksemburgut dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare.

Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më date 11 prill, me Shqipëri – Peru që zhvillohet në orën 11:00 dhe Irlandë e Veriut – Luksemburg në orën 14:00. Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 14 prill, me Shqipëri – Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru – Irlandë e Veriut në orën 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *