Ekskluzive/ “Shoh këta “analistët” shqiptarë që dyshojnë”! Adrian Aliaj: Lëreni Armando Brojën të qetë, Halandi i Shqipërisë dhe qershia në tortën e Rejës

Nga Klaudio Ndreca

Armando Broja ishte i jashtëzakonshëm në përballjen e Shqipërisë me Spanjën. Sulmuesi i Southampton i arriti të gjitha pritshmëritë e tifozëve duke bërë të mundur që t’ia dali i vetëm në repartin e sulmit për të kaluar emrat më të mëdhenj të futbollit europian. Ndërkohë ndeshja tjetër me Gjeorgjinë nuk ishte e nivelit që pritej, ndërsa për të nuk munguan edhe disa kritika.

Por në një prononcim për “Sport Ekspres”, Adrian Aliaj është shfaqur totalisht kundër kësaj mënyre të shprehuri në media. Duke treguar të gjitha arritjet e këtij djaloshi, legjenda e Kombëtares e ka cilësuar si Halandin e Shqipërisë dhe njëkohësisht si qershinë në tortën që duhet të përgatisë trajneri i Kombëtares, Reja.

“Lëreni djalin të qetë. Po flasim për një lojtar që është shumë, shumë talent. Mund të jetë lojtari më i madh i shqiptarëve, nuk e dimë. Duhet t’i japim kohë, ta mbështesim. Nuk duhet t’i japim polemika. Shoh disa nga këta “analistët” shqiptarë të papunë që vetëm dinë të flasin dhe thonë: “Bën apo nuk bën, është apo nuk është”. Armando Broja luan në Premier League dhe është lojtar i Chelsea. Nuk e di a kemi pasur ndonjë lojtar tjetër në histori me Chelsea.

Nuk kemi se çfarë të flasim për të. Nuk duhet t’i bëjmë presion, ka kualitetin dhe është i ri akoma. Është Halandi i Shqipërisë. Për të shkuar në kompeticione më të mëdha duhet një trajner që di kualitetin e lojtarëve. Broja është si qershia në tortën që duhet të bëjë Reja. Duhet të ndihet sa më i qetë”, tha Aliaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *